Kryetari i PDK-së në Gjilan Riad Rashiti nëpërmjet një komunikate ka dhënë shpjegimet lidhur me prishjen e koalicionit me Vetëvendosjen në Gjilan.
Ai ka thënë se në asnjë formë nuk pranojmë që të biem pre e shantazheve dhe presioneve nga një kryetar dhe një parti që po përpiqet ta trajtojnë Komunën e Gjilanit si pronë private.
Tutje Rashiti ka thënë se krizat e mosmarrëveshjeve tona i kemi pasur në shumë fusha dhe nuk lejojmë që arsyetimi i dhënë nga kryetari Hyseni, të merret si shkas për ndërprerjen e bashkëpunimit politik.
Kjo është komunikata e plotë:
Të nderuar qytetarë të Komunës së Gjilanit, anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Demokratike të Kosovës.
Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Gjilan, nga sot nuk është më pjesë e koalicionit qeverisës me kryetarin Alban Hyseni dhe partinë Vetëvendosje.
Si parti shtetformuese dhe shtetndërtuese nuk pranojmë në asnjë formë që të biem pre e shantazheve dhe presioneve nga një kryetar dhe një parti që po përpiqet ta trajtojnë Komunën e Gjilanit si pronë private që mund të bësh gjithçka, pa respektuar ligjet, normat dhe rregullat.
Pas zgjedhjeve të fundit lokale, ne kemi pranuar bashkëqeverisjen me idenë e vetme që t’i shërbejmë zhvillimit të Komunës sonë dhe qytetarëve të Gjilanit, por asnjëherë nuk kemi pranuar dhe nuk do të pranojmë që të mbështesim vendime të paligjshme, jo-demokratike të selektuara mbi baza të interesave individuale e grupore të partisë në pushtet.
Ne ndjehemi plotësisht të bindur që të kërkuarit kohë për sqarim më të hollësishëm, ka qenë në dobi të çdo akteri të përfshirë, duke kërkuar shfuqizimin e të gjitha vendimeve të jashtëligjshme e jo të disave, pra jo në mënyrë selektive, duke krijuar dëme tek bizeneset e qytetarët.
Ne si ish-partner të qeverisjes komunale, krizat e mosmarrëveshjeve tona i kemi pasur në shumë fusha dhe nuk lejojmë që arsyetimi i dhënë nga kryetari Hyseni, të merret si shkas për ndërprerjen e bashkëpunimit politik.
Ne si parti shtetformuese, institucionale, jemi përherë në mbrojtje të legjitimitetit të punës institucionale, duke respektuar me përpikmëri të gjitha obligimet tona, duke mos tentuar asnjëhere, që rëndësinë e temave kryesore, qoftë lokale qoftë qëndrore, ta zbehim duke shpërqëndruar vëmendjen në tema që disa i konsiderojnë populliste.
Për këto 16 muaj të bashkëqeverisjes, kemi tentuar që dallimet tona të thella, t’i gërshetojmë në mënyrë që konceptet tona të kenë një përputhje më të pranueshme.
Por meqë kjo ka kohë që nuk ka rezultuar, mbrëmë kryesia e degës së PDK-së në Gjilan ka mbajtur takim, ku është shqyrtuar partneriteti, e për të cilën ata kanë bindjen që ky partneritet ka lënë shumë për të dëshiruar.
Duke respektuar opinionin e vlefshëm të gjithësecilit anëtar të kryesisë dhe në dakordancë të plotë me ta, po i ndajmë me publikun edhe qëndrimet tona:
– Mosfunksionimi për shtatë muaj radhazi i Kuvendit Komunal në Gjilan, për të cilën jemi dëmtuar edhe ne si partner
– Mos emërimi i Komisioneve Komunale të Aksionarëve në Ndërmarrjet Publike, për më shumë se një vit
– Mos emërimi i bordeve në Ndërmarrjet Publike Lokale, poashtu për më shumë se një vit
– Mos shpallja e vendeve të punës në administratën komunale (ku në këtë mënyrë shërbimet efikase kanë ngecur)
– Mos shpallja e vendeve të punës në sektorin e shëndetësisë, e për të cilat ankesat e pacientëve kanë qenë të shumta e të dukshme
– Mos blerja e shërbimeve profesionale për punëtorët shëndetësorë, e për të cilat buxheti i planifikuar është suficit
– Shkeljet e shumta ligjore të konstatuara në raportin e Auditorit Kombëtar për vitin 2022, e për të cilat komunës së Gjilanit i pamundësohet aplikimi në Grantin e performances, për të dytin vit radhazi.
Përveç këtyre, mospajtimi me qasjen e ish-partnerit, karshi secilit projekt të rëndësishëm kapital të zgjas me vite, përmes anulimit të kontratave të punës në projekte të rendësishme, sikurse, stadiumi i qytetit, ri-tenderimi i autostradës, hyrje-daljet e qytetit, si dhe shumë projekte të tjera kapitale të zhagitura përgjatë muajve.
Për këto dhe shumë arsye të tjera interne, për të cilat në emër të bashkëpunimit dhe korrektësisë nuk po i shpalosim tani, ky koalicion ka marrë fund.
Ne falenderojmë, drejtorët komunal, asambleistët, zyrtarët e komunës, për bashkëpunimin, angazhimin, vullnetin dhe integritetin profesional të treguar gjatë kësaj periudhe.
Ashtu sikurse jemi zotuar për qeverisje korrekte, të ndershme brenda marrëveshjes sonë, e kemi realizuar, dhe për këtë ndjehemi të lumtur dhe me dinjitet, sepse i kemi shërbyer me fisnikëri angazhimit tonë publik.
PDK përherë do të mbetet partia e cila dëgjon zërin rekomandues, kritik e këshilldhënës të qytetarëve, e për të cilin përherë do të jetë në shërbim, duke i ofruar ekskluzivitetin në vendimmarrje.
Si parti opozitare në Kuvendin Komunal të Gjilanit do të demaskojmë për çdo ditë fytyrën e vërtetë të qeverisjes autoritare të kyetarit të komunës dhe Vetëvendosjes të cilët po e trajtojnë komunën tonë si vend të askujt dhe të pushtuar nga ta.