Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, së fundmi ka reaguar ndaj një deklarate të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, shkruan GazetaEnigma.
Deklarata e shefit të Qeverisë ishte rreth Beogradit, ku ai ka kërkuar që të ndryshojë dhe dialogu të përfundojë me marrëveshje që ka në qendër njohjen reciproke.
Petkoviqq reagoi duke thënë se ai që duhet të ndryshojë është kryeministri Kurti dhe të fillojë t’i përmbushë obligimet e tij nga dialogu i Brukselit.
Gjithashtu ka numëruar përsëri ditët me numra, për atë që ai e quan si moszbatim të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe.
“Sot bëhen 3,322 ditë që Prishtina nuk e ka formuar Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe s’i ka impelementuar një numër marrëveshjesh tjera në fushën e energjisë. Beogradi ka qëndrimin e tij parimor, që nënkupton kërkimin e kompromisit në dialog, si i vetmi mekanizëm për zgjidhje të qëndrueshme në Kosovë, kështu që Kurti nuk do të mund të ndryshojë qëndrimin e Beogradit zyrtar me retorikën e tij shantazhuese, të udhëhequr nga Presidenti Aleksandar Vuçiq që në mënyrë të palëkundur përpiqet të sigurojë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në këtë fushë”, ka thënë Petkoviq.
Ndërkohë që nuk la pa e komentuar as vizitat e Kurtit në SHBA.
“Kuptohet që shtrirja e vizitës së Kurtit në SHBA është e pakët, ndaj sipas recetës së tij të sprovuar, ai sheh fajtorët në detyrë dhe targeton sa herë që situata politike në Kosovë nuk e ndihmon. Në vend të shantazheve dhe urimeve si “njohja reciproke”, do të ishte më mirë që Kurti t’i kthejë fjalët si mirëkuptim reciprok, kompromis, dialog dhe respektim i marrëveshjeve në fjalorin politik dhe agjendën politike, sepse kjo është mënyra e vetme dhe e sigurt për normalizimin e situatës në Kosovë”, u shpreh Petkoviq. /GazetaEnigma