Real Madridi ka përcaktuar lojtarin e radhës me të cilin synon të rinovojë kontratën, në kuadër të strategjisë së klubit për të siguruar të ardhmen e yjeve kryesorë të skuadrës.
Sipas gazetarit Matteo Moretto, Jude Bellingham është emri i radhës në listën e drejtuesve madrilenë, ndërsa marrëveshja e re mund të finalizohet brenda dy javësh. Lajmi është raportuar edhe nga Marca.
Duke folur në emisionin La Pizarra, Moretto deklaroi: “Real Madridi do ta rinovojë kontratën me Jude Bellinghamin, ai është i radhës”, duke konfirmuar se klubi tashmë po punon për zgjatjen e bashkëpunimit me mesfushorin anglez.
Kontrata e re pritet të jetë e vlefshme deri në vitin 2030 ose 2031, ndërsa palët janë ende duke diskutuar detajet përfundimtare të marrëveshjes.
Bellingham iu bashkua Real Madridit në verën e vitit 2023 nga Borussia Dortmundi, duke nënshkruar një kontratë gjashtëvjeçare që aktualisht e mban të lidhur me klubin deri në verën e vitit 2029.
Megjithatë, drejtuesit e “Los Blancos” dëshirojnë ta sigurojnë edhe për një periudhë më të gjatë, pasi anglezi është shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës që prej transferimit në kryeqytetin spanjoll.
Rinovimi me Bellinghamin shihet si pjesë e planit të Real Madridit për të mbrojtur boshtin kryesor të projektit sportiv për vitet e ardhshme.
