Refuzohet ankesa e VV-së lidhur me procesin e votimit në Han të Elezit

Refuzohet ankesa e VV-së lidhur me procesin e votimit në Han të Elezit

Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pathemeltë ankesën e parashtruar nga subjekti politik: Lëvizja Vetëvendosje (LVV), me seli në Prishtinë dega Hani i Elezit, kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ZL.Anr.221/2025, të datës 17.10.2025.

Në njoftimin e lëshuar për media, bëhet e ditur se pasi PZAP kishte hedhur si të pas-afatshme ankesën e subjektit politik LVV, kjo e fundit ka paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme, duke kërkuar që “të urdhërohet hetim i librave origjinal të votimit për Komunën e Hanit të Elezit, të konstatohet se numri i lartë i rasteve të asistimit përbën shkelje të nenit 10 të Rregullores 12/2024 dhe të parimit të fshehtësisë së votës”, dhe “të urdhërohet përsëritja e votimit aty ku shkeljet janë të verifikueshme dhe ndikojnë në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve”.

Kolegji i Gjykatës Supreme vlerësoi ligjshmërinë e vendimit të kontestuar, në kuptim të pretendimeve ankimore, përgjigjes në ankesë, dhe pas shqyrtimit edhe të shkresave të lëndës, gjeti se ankesa është e pathemeltë.

Sipas Gjykatës Supreme sikur një ankesë e tillë apo secila ankesë tjetër të shqyrtohej në meritë apo përmbajtje edhe në rastet kur është e pas-afatshme, do të përbënte cenim të sigurisë juridike dhe do të kishim prolongim të ciklit të procesit zgjedhor.

Related Articles