Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave ndaj ish-kryetarit të Komunës së Kllokotit, Bozhidar Dejanoviq.
Ai po akuzohet se kishte ndikuar në votimin e “Listës Serbe” dhe kandidatëve të preferuar të tij nga ky subjekt, në zgjedhjet nacionale të 14 shkurtit 2021, në Republikën e Kosovës.
Lajmin për refuzimin e kërkesës në fjalë e ka bërë të ditur për “Betimi për Drejtësi” gjykatësi i rastit, Arben Hoti.
I kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi”, mbrojtësi i të akuzuarit Dejanoviq, avokati Elmi Qerimi ka thënë se ndaj këtij vendimi mbrojtja brenda afatit ligjor ka ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.
“Gjykata e ka refuzua kërkesën, ndërsa ne brenda afatit kemi bë ankesë në Gjykatën e Apelit, por përgjigje nuk kemi marrë ende”, ka thënë avokat Qerimi.
Ai ka bërë të ditur se ankesën e ka ushtruar për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe shkeljes së ligjit penal.
“Vepra penale cenimi i të drejtës së votimit, ndikimi në votime, pa pas palë të dëmtume nuk ka, se duhet me kon tjetri që është i kanosun, se kanosja është element esencial për këtë vepër penale, do të thotë nuk ka hiq”, tha ai.
Ndryshe, i akuzuari Dejanoviq ishte deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur më 16 shtator të këtij viti, raporton “Betimi për Drejtësi”.Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 2 korrik 2021, ka ngritur aktakuzë ndaj Bozhidar Dejanoviq, të cilin e akuzon se ka kryer veprën penale “Cenim i përcaktimit të lirë të votuesve”, nga neni 210 të KPRKS-së.
Sipas aktakuzës i akuzuari Dejanoviq në cilësinë e kryetarit të Komunës së Kllokotit, më 12 shkurt 2021, me dashje dhe me qëllim të cenimit të lirisë së përcaktimit të votuesve në zgjedhjet e përgjithshme nacionale të mbajtura më 14 shkurt 2021, për zgjedhjen e deputetëve të Parlamentit të Republikës së Kosovës, ka kanosur seriozisht punëtorët e Komunës së Kllokotit.
Gjithashtu, sipas aktakuzës, i akuzuari Dejanoviq ka keqpërdorur edhe varësinë ekonomike të qytetarit Zoran Rodiq, ka ndikuar që të votojë për subjektin politik “Lista Serbe”.
Tutje thuhet se i pandehuri ditën e incidentit, ka organizuar disa takime me zyrtarët e komunës, ku në secilin takim kishin marrë pjesë 15-20 persona, ku i kishte urdhëruar që në zgjedhjet që do të mbaheshin pas dy ditësh ta votonin “Listën Serbe”, duke u thënë që të votojnë kandidatët e tij të preferuar me numrat 1,2,5,6 dhe 7 të këtij subjekti.
Më pas në aktakuzë thuhet se, zyrtarin Zejan Vlajkovic, i akuzuari e ka urdhëruar të mbaj procesverbal për evidentimin e të pranishmëve, kurse nga të pranishmit ka kërkuar që të deklarohen se nga sa vota i kanë nga familjarët e tyre, dhe deri sa zyrtari Vlajkoviq po i evidentonte të dhënat.
I akuzuari ua kishte shpërndarë të pranishmëve fletëvotimet dhe kimika me ngjyra të ndryshme, të cilat më pastaj i evidentoi në procesverbal duke shënuar lidhjen në mes të personit/familjes dhe ngjyrës përkatëse dhe krejt në fund i kanosi të pranishmit me fjalët se kush nuk do të votonte sipas urdhrave të tij do të ishte në luftë me të, sepse do të kishte pasoja për vendin e punës duke e përfunduar me paralajmërimin se kishte krijuar mekanizëm që do ta identifikoj secilin person i cili nuk do t’i bindej urdhrave të tij.
Tutje në aktakuzë thuhet se ditën e incidentit, i akuzuari e kishte thirr në zyrën e tij shtetasin Zoran Rodiq, nga i cili ka kërkuar që ta votojë subjektin politik “Lista Serbe”, kurse për kandidatë të votoj numrat 1,2,7,8 dhe 9, dhe për më tepër i akuzuari ka kërkuar nga personi në fjalë që subjektin dhe kandidatët e rekomanduar t’i votojë ai dhe e gjithë familja e tij.
Gjithnjë sipas aktit akuzues, shtetasi Rodiq kërkon nga i akuzuari të di se kush janë këta persona për çka, i akuzuari i thotë “ti duhesh me dëgju, pasi unë të kam ndihmuar… unë ju përgjigja se t’i çka më ke ndihmuar, kryetari më tha se të kam dhënë një pako ndihmë ushqimore…”, me ç’rast duke shfrytëzuar varësinë e tij ekonomike, i akuzuari ka ndikuar në vullnetin e lirë të Zoran Rodiq si votues./Gazeta Enigma/