Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në mbledhjen e së shtunës mbrëma, nuk e ka miratuar propozimin e përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje për shtyrjen e afatit të regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës dhe mundësinë e ndryshimit të vendvotimit për votuesit brenda vendit deri të dielën në ora 16:00.
Propozimi mori vetëm katër vota për, duke u rrëzuar menjëherë.
Sekretariati i KQZ-së ishte shprehur paraprakisht kundër shtyrjes, duke theksuar se një vendim i tillë do të rrezikonte menaxhimin e procesit zgjedhor.
Drejtori i sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala tha se një shtyrje eventuale e këtyre afateve deri të dielën në ora 16:00 do të shtynte përcaktimin e fletëvotimeve qe duhet te shtypen për përfaqësitë diplomatike.
Kjo ishte edhe arsyeja që kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, deklaroi se është kundër shtyrjes, ndonëse e hodhi çështjen në votim ashtu siç e kërkon procedura.
Me vendimin e KQZ-së, afati për regjistrimin e votuesve nga diaspora dhe për ndryshimin e vendvotimit brenda Kosovës mbetet i pandryshuar dhe përfundon sonte në ora 00:00.
Sipas këtij kalendari, proceset zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit vijojnë pa ndryshime në afate.
