Edi Reja drejtoi kombëtaren shqiptare nga 17 prilli i vitit 2019 deri në 23 dhjetor të vitit 2021. Trajneri italian udhëhoqi kuqezinjtë në 38 ndeshje, duke siguruar një mesatare prej 1.34 pikësh. 77-vjeçari u paraqit përkrah presidentit Armand Duka dhe pasuesit Sylvinho, të cilin e uroi për detyrën e re.
“Jam jashtëzakonisht i emocionuar. Çdo rrugëtim ka një fund, por do doja të nënvizoja rezultatet e arritura, që nuk janë për t’u lënë mënjanë. Kemi bërë të luajnë rreth 40 lojtarë, kemi arritur rezultate pozitive dhe ishim shumë afër kualifikimit në Botëror. Për një pikë mund të arrinim në “play-off” për të shkuar në Botëror.
Kam gjetur një skuadër që nuk kishte as krye dhe as fund. Kemi bërë një punë të jashtëzakonshme. Nuk kemi pasur qëllime personale, e kemi bërë gjithçka për Federatën. Raportet me presidentin kanë qenë pozitive dhe tepër profesionale.
Dua të falënderoj ndihmësit Bulku dhe Salihi, më kanë mbështetur pa shumë. Falënderoj edhe bashkëpunëtorët e tjerë. Po largohem, por po lë pas këtu një pjesë të zemrës time.
Dua të falënderoj presidentin Duka për këtë mundësi. Dua të falënderoj gazetarët, disa të tjerë më pak sepse më kanë vendosur në vështirësi. Punën time le ta gjykojnë të tjerët. Unë largohem me kokën lart dhe i kënaqur.
Kemi krijuar një strukturë, një skuadër dhe një grup të bukur. Nëse Sylvinho, të cilin e njoha sot, do të ketë kapacitetin për të bashkuar punën e bërë do ketë sukses. Kam marrë rezultate pozitive nga dy ndeshjet e fundit. Uroj të merren në konsideratë lojtarët e rinj. Ju falënderoj të gjithëve, veçanërisht presidentin.
Më vjen keq që nuk arritëm në Botëror, pasi besoja fort pas dy fitoreve me Hungarinë. Ishim shumë pranë kualifikimit. Uroj që Sylvinho të niset nga kjo bazë. Po lëmë një grup të fortë. Uroj të mos ketë mungesa siç kam pasur unë.
Sylvinho më duket një person i përshtatshëm nga ana njerëzore dhe profesionale për të drejtuar këtë kombëtare”, përfundoi Reja.