Çmimet e naftës ranë me më shumë se katër për qind sot pasi G7-a frenoi çmimet e naftës ruse dhe pasi inventarët e karburanteve në SHBA u rritën më shumë se sa pritej.
Një fuçi naftë Brent për dërgesë në janar ra me 3.47 dollarë dhe tani kushton 84.89 dollarë, ndërsa një fuçi naftë bruto në SHBA ra në 77.63 dollarë.
Rezervat e karburantit në SHBA u rritën me 3.1 milionë fuçi, sipas të dhënave nga Administrata e Informacionit të Energjisë në SHBA. Analistët kishin pritur një rritje të inventarëve prej vetëm 383 mijë fuçi.
Çmimet u ndikuan gjithashtu nga informacioni se anëtarët e G7-s po shqyrtojnë kufizimin e çmimit të naftës ruse në 65 deri në 70 dollarë për fuçi, ka thënë një zyrtar evropian.
Ky nivel aktualisht është më i lartë se çmimi me të cilin nafta ruse shitet në treg. Një fuçi naftë e papërpunuar Ural aktualisht kushton midis 62 dhe 63 dollarë, shkruan Sky News.