Dy të dyshuarit për tentim vrasjen që ndodhi dje në rrugën ‘Haxhi Zeka’ në Kolovicë të Prishtinës, ku mbeti i plagosur një person, janë shpallur në kërkim nga Policia. Ata po dyshohen se janë përfshirë në këtë incident që për pak nuk përfundoi tragjikisht. Njëri prej tyre ka shtënë me armë të gjatë disa herë nga vetura në drejtim të viktimës dhe më pas janë larguar.
Të rinjtë që po kërkohen janë Fitim Doda dhe Arijan Sijarina, fotografitë e të cilëve tashmë janë publikuar nga Policia e Kosovës.
I dyshuari Sijarina, i cili është reper qe një kohë të gjatë, ka edhe të kaluar kriminale.
Para gjashtë vitesh, Gjykata Themelore në Pejë e kishte shpallur fajtor për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje.
Ai akuzohej se pas përfundimit të një ndeshje të futbollit vite më parë ndërmjet Prishtinës e Dritës, që ishte zhvilluar në Pejë, ka shkaktuar rrezik të madh, duke shtënë me armë në drejtim të veturës së viktimave.
Sijarina njihet edhe për konfliktin në të cilin ishte përfshirë me ish reperin, Fero.
Ndryshe, lidhur me rastin e djeshëm, Policia në koordinim me Prokurorinë kanë kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit Doda, mirëpo ai nuk është gjetur aty dhe po punohet ende për lokalizimin e vendndodhjes së tij.
Ndërkohë është arritur që të gjendet e braktisur vetura që dyshohet se u përdor nga i dyshuari.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.