Reportazhi francez i vitit 1998 tregon sesi UÇK-ja i kishte ruajtur manastiret serbe në Rahovec

Reportazhi francez i vitit 1998 tregon sesi UÇK-ja i kishte ruajtur manastiret serbe në Rahovec

UÇK-ja vazhdimisht ishte përkujdesur ndaj objekteve fetare, veçanërisht ndaj objekteve ku ritualet fetare i kryente popullsia serbe gjatë kohës së luftës.

Demokracia.com ka siguruar një reportazh të agjencisë franceze të lajmeve AFP, të datës 17 gusht 1998, të botuar edhe në të përditshmen Bujku. Reportazhi tregon sesi UÇK-ja i kishte mbrojtur manastiret serbe.

Sipas reportazhit francez, shtatë priftërinj, priftëresha dhe 30 serbë, ishin strehuar në manastirin e Zoqishtes, por që iu dorëzuan Komunitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

Agjencia franceze atë kohë kishte demantuar lajmet e serbëve se flamuri kuqezi ishte vendosur në këmbanare.

Përkundër asaj që pohojnë serbët e rajonit, flamuri kuqezi i shqiptarëve nuk valon në këmbanare. Ndërtesat, dhomat e priftërinjve, morgu i vogël, çdo gjë është e paprekur“, thuhej në artikullin e mediumit francez.

“Ne duhet të kujdesemi për manastirin dhe të mos lëmë askë që të hyjë në të“, shkruante AFP franceze pas komunikimit me një ushtar të UÇK-së.

Para këtyre ngjarjeve ne kishim marrëdhënie të mira me manastirin. Edhe pse pjesa më e madhe e banorëve të Zoqishtit janë myslimanë, ne e vizitojmë kishën, marrim pjesë në martesën e serbëve. Por policia ju ka shpërndarë armë atyre, sikurse edhe serbëve të tjerë“, thuhej në reportazhin francez pas bisedës më shefin lokal të UÇK-së.

Tutje, në reportazhin francez tregohej se një mitraloz ishte vendosur në maje të këmbanares, si dhe ushtari i UÇK-së u kishte treguar se aty ishin gjetur armë automatike, revole dhe tri granata.

Ne duam që vendet tona të shenjta të jenë të respektuara, ndaj dhe i respektojmë këto vende të serbëve“, thoshte një ushtar i UÇK-së për mediumin francez në vitin 1998.

Ushtari i UÇK-së kishte treguar se ditën kur e kanë marrë manastirin, një sheh i besimtarëve myslimanë është vrarë nga policia në Rahovec.

Serbët pohojnë se ne e kemi përdhosur manastirin. Kjo është vetëm njëra nga gënjeshtrat e tyre. Këtu janë 60 shtëpi serbe, asnjërën nga to nuk e kemi djegur“, tregonte për mediumin francez një djalosh me këmishë të zezë që ishte prezantuar si komandant operacional i sektorit.

UÇK nuk kishte një strukturë të unifikuar dhe këtë gjë e kanë bërë të ditur shumica e akterëve ndërkombëtarë, respektivisht amerikanë, të cilët vepruan gjatë luftës në Kosovë.

Po ashtu, menjëherë pas luftës, Hashim Thaçi bashkë me kryeministrin Bajram Rexhepi e kishin vizituar manastirin e Zoqishtes dhe ishin zotuar për përkrahje financiare.

Related Articles