Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj, ka folur për prezencën e saj në seancën e zgjedhjes së presidentes, ku ka votuar ndryshe nga partia e saj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Reshitaj tha se ka pasur një rol konstruktiv, e cila theksoi se është e qëndrueshme në situata delikate politike kur është në pytje interesi vendi.
Deputetja e AAK-së thotë se edhe brenda strukturave të partisë ka dhënë argumentet pse është dashur të qëndrohet në sallë.
“Jo të gjithë në AAK kanë qenë refuzues. Disa kanë qenë të heshtur e disa kanë kundërshtuar, e më pas është marrë një vendim që të mos shkohet në Kuvend. Më vjen keq që më është dashur të ndahem nga grupi i AAK-së por mendoj se ka qenë vendim i duhur për të qëndruar në sallën e Kuvendit. Por mbi të gjitha ne e kemi obligim kushtetues të qëndrojmë në sallë për një votim aq të rëndësishëm”, ka thënë ajo në “Personale”.
Reshitaj thotë se ende mendon se shansa për president është dashur t’i jepej Ramush Haradinajt për t’u përballë me Vuçiqin.
Reshitaj thotë se nuk është marrë me zërat që kanë thënë se ajo do të përjashtohet nga AAK pasi kishte bërë kuorumin për Osmanin.
Ajo ka zbuluar edhe bisedën me Ramushin pasi kishte vendosur për të shkuar në Kuvend me rastin e seancës për zgjedhjen e Presidentit.
“Në pamundësi për t’u takuar me Haradinajn ditën e seancës, ia kam treguar vendimin dhe ai më ka thënë “nuk është mirë të ndahesh nga grupi””, ka thënë Reshitaj.