Agjencia ndërkombëtare Reuters raporton se Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shpërndau të premten Kuvendin dhe shpalli zgjedhje të jashtëzakonshme pas dështimit të deputetëve për të zgjedhur një president të ri brenda afatit kushtetues.
Sipas ligjit të Kosovës, Kuvendi kishte afat deri në mesnatën e së enjtes për të zgjedhur presidentin para përfundimit të mandatit të Osmanit në prill, por partitë opozitare refuzuan të marrin pjesë në votim. Dështimi për të zgjedhur president çon automatikisht në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.
Reuters thekson se vendimi për shpërndarjen e Kuvendit thellon bllokadën politike në vend, i cili është më i riu në Evropë dhe aspiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian. “Për pjesën më të madhe të vitit të kaluar, vendi nuk pati qeveri funksionale, pasi Kuvendi i fragmentuar nuk arriti të zgjedhë kryetar për muaj me radhë”, thekson agjencia.
Mediumi vë në pah se Vetevendosje, partia e kryeministrit Albin Kurti, fitoi mjaftueshëm ulëse për të formuar qeverinë, por nuk arriti të sigurojë pjesëmarrjen e opozitës, e cila kërkonte një kandidat konsensual për president. “Kurti ka propozuar ministrin e tij të Jashtëm, Glauk Konjufca, si kandidat për president”
Reuters raporton gjithashtu se Osmani pritet të takohet me partitë politike para se të caktojë datën e zgjedhjeve. “Zgjedhjet e ardhshme do të jenë të treta brenda pak mbi një vit, pasi Kosova zhvilloi tashmë zgjedhje të jashtëzakonshme më 28 dhjetor, pas dështimit për të formuar qeverinë pas votimeve të shkurtit 2025”, thekson mediumi.
Agjencia citon edhe deklaratën e Osmanit gjatë konferencës së sotme: “Një Kuvend që nuk mund të zgjedhë president nuk mund të vazhdojë pafundësisht të zvarrisë procesin, siç po tentohet tani. Asnjëherë nuk duhet të kërkohet një cikël tjetër politik, sidomos në këtë moment kur vendi ka nevojë për stabilitet.”
