Socialdemokratët e Zvicrës, të cilët morën përkrahje nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i kanë humbur sërish zgjedhjet parlamentare.
Ata dolën të dytët në garën për Parlamentin e Zvicrës.
Partia Popullore e Zvicrës (SVP) i fitoi zgjedhjet parlamentare të mbajtura të dielën, bazuar në rezultatet preliminare të publikuara mbrëmjen e djeshme.
SVP-ja, parti e krahut të djathtë e cila qeveris me vendin, siguroi 62 mandate apo rreth 28 për qind të votave.
Në vendin ne dytë është renditur Partia Socialdemokrate, të cilën e ka përkrahur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. SD-ja ka fituar rreth 18 për qind të votave. Socialdemokratët kanë siguruar 41 ulëse në Parlamentin e Zvicrës. Dy më shumë sesa në zgjedhjet e kaluara.
Për zgjedhjet parlamentare në Zvicër, kryeministri Albin Kurti u akuzua se ndërhyri duke përkrahur opozitën.
Në janar të këtij viti, në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti kishte nënshkruar një memorandum bashkëpunimi ndërmjet partisë që udhëheq dhe Partisë Socialdemokrate të Zvicrës.
Pas kësaj, në fushatën para-zgjedhore të zgjedhjeve federale, Kurti doli hapur në përkrahje të socialdemokratëve zviceranë.
Por kjo mbështetje e tij nuk i kishte pëlqyer aspak sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Popullore Zvicerane, Peter Keller, i cili e kishte cilësuar si “plotësisht të gabuar” paraqitjen e planifikuar të Kurtit në fushatën zgjedhore në Zvicër.
Edhe opozita në Kosovë e kishte akuzuar Kurtin për ndërhyrje në punët e brendshme të një shteti mik siç është Zvicra.