Të premten, kanë rifilluar negociatat mes Kievit dhe Moskës, derisa në Mariupol ka ende bllokadë në dërgim të ndihmave humanitare dhe evakuim të civilëve nga qyteti i shkatërruar prej luftës.
“Ne po vazhdojmë bisedimet përmes video-konferencës”, ka thënë shefi negociator i palës ruse, Vladimir Medinsky përmes Telegramit.
“Pozicionet tona për Krimenë dhe Donbasin nuk kanë ndryshuar”, ka thënë ai.
Rundi i ri i bisedimeve vjen pasi negociatorët rusë dhe ata ukrainas kanë zhvilluar bisedime sy më sy më 28 mars në Stamboll.
Para nisjes së takimit të së premtes, negociatori ukrainas, David Arakhamia, ka thënë se Turqia dhe Gjermania kanë shprehur gatishmëri për të shërbyer si garantuese për siguri, në rast të arritjes së ndonjë marrëveshjeje mes dy palëve.
Petro Andryushchenko, këshilltar i kryetarit të Mariupolit, ka thënë se Rusia është duke bllokuar dërgimin e ndihmës në qytetin e rrethuar dhe është duke parandaluar hapjen e “korridorit humanitar” në mënyrë që banorët të ikin nga luftimet e ashpra mes forcave ukrainase dhe atyre ruse.
Zyrtarët ukrainas kanë thënë më 31 mars se një konvoj i 45 autobusëve është drejtuar për në Mariupol, për të dërguar ndihmë për banorët e bllokuar me javë në këtë qytet.
“Qyteti vazhdon të jetë i mbyllur dhe me dalje shumë të rrezikshme përmes transportit publik”, ka thënë ai.
Biden ka thënë se përmes vendimit të tij synon të luftojë rritjen e çmimeve të naftës, si pasojë e pushtimit rus në Ukrainë.
Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, ka thënë në një intervistë më 31 mars se Rusia tani është “shtet më i vogël” për shkak të luftës në Ukrainë.
“Presidenti (rus, Vladimir) Putin nuk është forca që ka qenë dikur. Ai është njeri që ka mbetur në kafazin që e ka ndërtuar vetë”, ka thënë ministri britanik për Sky News.
“Ushtria e tij është e lodhur, ai është përballur me shumë humbje. Reputacioni i kësaj ushtrie të madhe të Rusisë është shkatërruar”, ka thënë Wallace.
“Atij nuk do t’i duhet të jetojë vetëm me pasojat e asaj që është duke bërë në Ukrainë, mirëpo atij do t’i duhet të jetojë me pasojat e asaj që i ka bërë ushtrisë së tij”, ka thënë mes tjerash Wallace.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Ai ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.