Orët e vona të mbrëmjes së 19 shkurtit të këtij viti ishte raportuar për vrasjen aksidentale të policit Lirim Haxholli në fshatin Zllatar të Prishtinës, shkruan “Mitropol”.
Kjo ngjarje tragjike kishte ndodhur pasi në një vilë në Zllatar ishin mbledhur për qejf një grup i madh i zyrtarëve policorë.
Nga ky grup policor kishte masivisht gjuajtje festive me armë zjarri. Festa e tyre ishte kthyer në tragjedi, kur aksidentalisht u pati plagosur polici i ri Lirim Haxholli, i cili humbi jetën në moshën 25 vjeçare pas plagosjes.
Lirimi ishte dërguar në Emergjencën e QKUK-së, por nuk pati arritur t’u bënte ballë plagëve dhe vdiq.
Intervistimi i këtij grupi policor nga ana e prokurorisë dhe hetuesve policorë, ka zgjatur deri në orët e mëngjesit dhe vendimi përfundimtar ishte suspendimi i 15 zyrtarëve policorë të përfshirë në këtë rast, ku për 6 prej tyre prokurori i rastit e kishte vendosur masën e paraburgimit.
Burime ekskluzive të “Mitropol” brenda Inspektoriatit Policor të Kosovës njoftojnë se policët e suspenduar në shkurt tashmë janë rikthyer në vendet e tyre të punës.
Ish-polici që ka kryer vrasjen aksidentalisht ndodhet ende në burgim.