Liga e Kampionëve do të rikthehet sonte me ndeshjet e xhiros së tretë të fazës së ligës.
Gjigantët e futbollit evropian do të zbresin në fushën e blertë në kërkim të pikëve të reja, të cilat do t’i afrojnë me fazën eliminuese.
Barcelona është në kërkim të fitores së dytë teksa do të jetë mikpritëse e Olympiakosit, i cili nuk di për fitore në dy xhirot e para.
Ndërkohë, nënkampioni evropian, Interi do ta vizitojë ekipin belg Union St Gilloise, ndaj të cilit sigurisht se është favorit absolut.
Ndërkaq, kampioni aktual evropian, Paris Saint-Germain do ta ketë një udhëtim të vështirë pasi do të ketë punë me Bayer Leverkusenin.
Parisienët do ta kërkojnë fitoren e tretë, kurse “Farmaceutikët” të parën.
As Manchester Cityn nuk e pret një punë aspak e lehtë teksa do ta vizitojë sonte Villarrealin në Spanjë.
“Nëndetësja e Verdhë” është i vendosur për t’i mbajtur pikët në shtëpi, por “Citizens” i kanë idetë e qarta dhe duan të kthehen në shtëpi me pikë të plota.
Një duel që pritet të jetë mjaft interesant sonte do të jetë edhe ai mes Arsenalit dhe Atletico Madridit.
Dy ndeshje do të nisin prej orës 18:45, kurse shtatë të tjerë prej orës 21:00. /