Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka publikuar disa statistika, ku sipas të cilave që nga 1 qershori e deri më 31 gusht të këtij viti, 222 mijë vetura me mërgimtarë kanë hyrë në Kosovë.
Të gjitha këto vetura kanë paguar polisën e sigurimit.
“Për shkak të procedurave të komplikuara burokratike që i ka vendosur Qeveria, vetëm 11,923 mërgimtarë kanë aplikuar për rimbursim, ndërkaq, deri sot, vetëm 8,845 prej tyre kanë përfituar rimbursimin”, ka shkruar Krasniqi.
Sipas Krasniqit, kjo është zhvatje e pasurisë së mërgimtarëve nga Qeveria Kurti.
Postimi i plotë i Krasniqit:
Nga 1 qershori deri më 31 gusht 2022 në Kosovë kanë hyrë 222,274 vetura me mërgimtarë. Të gjithë, pa përjashtim, kanë paguar polisën e sigurimit në kufi.
Për shkak të procedurave të komplikuara burokratike që i ka vendosur Qeveria, vetëm 11,923 mërgimtarë kanë aplikuar për rimbursim, ndërkaq, deri sot, vetëm 8,845 prej tyre kanë përfituar rimbursimin.
Kur nuk ka nevojë për votën e tyre, ky është trajtimi dhe mendimi i vërtetë i Qeverisë së Albin Kurtit për mërgimtarët. Injorimi në kërkesa, mashtrimi në premtime dhe zhvatja e pasurisë së tyre.