Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, mori pjesë në ceremoninë e lansimit të udhëzuesit për matjen e dënimit, të hartuar nga Gjykata Supreme.
Në fjalimin e tij, z. Kelmendi e vlerësoi miratimin e këtij udhëzuesi si një hap kyç drejt harmonizimit të praktikave gjyqësore dhe standardizimit të procesit të matjes së dënimit. Ai theksoi se kjo iniciativë do të kontribuojë në drejtësi më të balancuar dhe në një zbatim më të saktë të ligjit.
“Miratimi i këtij udhëzuesi është një instrument i rëndësishëm për t’i dhënë procesit penal një qasje më të drejtë dhe më profesionale. Prokurorët duhet ta konsiderojnë këtë udhëzues si një mjet të paçmueshëm për punën e tyre,” u shpreh Kelmendi.
Ai shtoi se ndryshimet e fundit në Kodin e Procedurës Penale kanë formalizuar edhe më shumë rolin e Prokurorisë së Shtetit në këtë aspekt, duke i dhënë prokurorëve mundësinë për të propozuar lartësinë e dënimeve. Në këtë kuadër, ai nënvizoi rëndësinë e përdorimit të udhëzuesit nga të gjithë prokurorët në vend.
Në fund të fjalës së tij, U.D. kryeprokurori falënderoi Gjykatën Supreme, Departamentin e Drejtësisë në Ambasadën Amerikane – OPDAT dhe të gjithë partnerët e përfshirë për mbështetjen dhe kontributin në realizimin e këtij projekti madhor.
Ky udhëzues pritet të sjellë standarde më të qarta dhe uniformitet në matjen e dënimeve, duke garantuar një sistem drejtësie më të drejtë dhe transparent.