Ministria e Ekonomisë ka përmbyllur me sukses procesin ofertues për Ankandin Solar Fotovoltaik (FV) prej 100 megavatëve, me ç’rast kanë ofertuar pesë kompani vendore e ndërkombëtare.
Kompanitë që kanë ofertuar në këtë Ankand janë nga Franca, Turqia, Egjipti dhe Zvicra e Kosova.
Me këtë rast, ministrja e Ekonomisë, Artan Rizvanolli, tha se prioriteti i dikasterit që ajo e udhëheq është investimi në kapacitet të reja gjeneruese nga burimet e ripërtritshme të energjisë.
“Që nga fillimi i mandatit kemi theksuar e pastaj e kemi konfirmuar edhe në strategjinë se investimi në kapacitet të reja gjeneruese nga burimet e ripërtritshme të energjisë do të jetë prioritet dhe se ky do të mbështet në procese konkurruese ferr e transparente që përfundimisht sjellin çmime më të ulëta. Kështu ne sigurojmë përballueshmerinë për qytetarët, përderisa forcojmë sigurinë e furnizimit dhe qëndrueshmërinë e sektorit me përfshirjen e sektorit privat. Qëllimi ynë ishte që të kemi një projekt të madh që të sigurohemi se ekonomia e shkallës garanton një çmim sa më të volitshëm për qytetarët tanë. Insistuam që ankandi të bëhet në një tokë publike, një lokacion specifik të paracaktuar ashtu që secilit t’i jepet mundësia e barabartë, dhe te sigurohemi që shfrytëzimi i pronave të jetë sa më efikas, pra për prodhimin e energjisë të pastër, të mos e bëjë në kurriz të humbjes së tokave bujqësore, ose që mund të përdoret për aktivitete tjera”, u shpreh Rizvanolli.
E ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Misionit të USAID-it, Kerry Monaghan Higler, tha se lansimin e këtij ankandi tregon zotimin e Kosovës drejt një sistemi energjetik të qëndrueshëm.
“Një e ardhme ku ajri është më i pastër, energjia më e besueshme dhe ekonomia vazhdon të rritet. Ky ankand 100MW historik tregon zotimin e Kosovës drejt një sistemi energjetik të qëndrueshëm. Gjithashtu do të ofrojë përfitime të tjera, siç është edhe krijimi i vendeve të punës. Derisa janë këto kompani, vërehet se ka një interesim të rritur të investitorëve në Kosovë, që urojmë të rritet në të ardhmen”, deklaroi ajo.