Shërbimet e komunikimeve elektronike të operatorit të telefonisë “Vala” janë duke mbuluar të gjitha pikat kufitare të vendit, përfshirë edhe dy pikat kufitare në veri të vendit. Kështu ka thënë sot ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli gjatë raportimit lidhur me nivelin e zbatimit të Ligjit për komunikimet elektronike në Komisionin për Ekonomi.
Rizvanolli para komisionit parlamentar, ka folur edhe për tentimet e qeverisë për përmirësimin e infrastrukturës së shërbimeve të komunikimeve edhe në katër komunat veriore të vendit.
“Tani ‘Vala’ është prezente në të gjitha pikat kufitare, përfshirë edhe dy pikat kufitare në veri”, ka shtuar ajo.
Deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, Driton Hyseni, duke theksuar se ka ngritje të cilësisë së shërbimeve elektronike për qytetarët, ka thënë se ka ende telashe ose sfida për mbulimin e tërë vendit me shërbime telefonike dhe internetit.
Deputeti Hyseni ka potencuar se ka një angazhim të ARKEP-it për rritjen e shërbimeve të komunikimeve elektronike, por ka shtuar se është e nevojshme për nxitjen e konkurrencës në këtë fushë.
Me kërkesë të shefes së GP të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, Komisioni ka vendosur që ministrja Rizvanolli sot të raportojë edhe për strategjinë për energji./kp/