Senati amerikan miratoi të enjten kandidaturën e Robert F. Kennedy Jr. një kritik i vaksinave për postin e Sekretarit të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore.
Ai mori 52 vota pro dhe 48 kundër. Senatori Mitch McConnell nga Kentaki ishte republikani e vetëm që votoi kundër tij, duke bashkuar votat me 47 demokratët që kundërshtuan kandidaturën e zotit Kenedy.
Ky i fundit është zotuar se do të mbroj programet ekzistuese të vaksinimit teksa bëri përpjekje për të siguruar votat e senatorëve hezitues.
Tashmë ai pritet të mbikëqyrë shumë agjenci të profilit të lartë, përfshirë Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).
Pasi zoti Kennedy të bëjë betimin të enjten, Presidenti Trump do të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv për të krijuar një komision të quajtur MAHA, emërtuar në bazë të sloganit “Ta bëjmë Amerikën të shëndetshme sërish”. (Make America Healthy Again).
Siç njoftoi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt për rrjetin amerikan ‘Fox News’ ai do të udhëzojë sekretarin e ri të Shëndetësisë “të hetojë krizën me sëmundjet kronike që po mundon vendin tonë”.
Zoti Kennedy, 71 vjeç, me profesion avokat mbi çështjet mjedisore prej kohësh ka mbjellë dyshime për sigurinë dhe efikasitetin e vaksinave që kanë ndihmuar në frenimin e sëmundjeve dhe kanë parandaluar miliona vdekje për dekada.
Ai tani do të drejtojë departament qeveritar që ka buxhet prej mbi 3 trilion dollarësh. Gjithashtu nën kompetencën e Departamentit të Shëndetësisë janë dhe programet ‘Medicare’ dhe ‘Medicaid’ që ofrojnë sigurim shëndetësor për mbi 140 milionë amerikanë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë.
Zoti Kennedy ka thënë se dëshiron të punojë për t’i dhënë fund sëmundjeve kronike dhe cdo lidhje mes punonjësve të agjencisë rregullatore të barnave dhe industrisë së barnave. Ai gjithashtu do të kërkojë nga agjencitë që ofrojnë furnizim me ujë në Amerikë të heqin fluorin nga uji. Kundërshtarët thanë se ai nuk është i përshtatshëm për këtë punë për shkak të rolit të tij të spikatur në lëvizjen kundër vaksinave.
Rruga e tij drejt konfirmimit ishte e mbushur me vështirësi dhe jo gjithmonë dukej se kishte votat e nevojshme mes republikanëve. Atij iu desh të përballet me të kaluarën e tij si anëtar i Partisë Demokrate, me pikëpamjet e tij të mëparshme në mbështetje të abortit, si dhe qëndrimin e tij ndaj vaksinave. Disa anëtarë të shquar të familjes së tij, duke përfshirë kushërirën Caroline Kennedy, kërkuan gjithashtu publikisht mos konfirmimin e tij.
Përfundimisht, republikanët e Senatit hoqën dorë nga kundërshtimet siç kanë bërë për çdo të emëruar të Presidentit Trump deri më tani.
Pas votimit në Senat, Stephen Ubl, kryeshef i Kërkimeve Farmaceutike dhe Prodhuesve të Amerikës, organizata kryesore e lobimit të industrisë tha se prodhuesit e barnave mezi presin të punojnë me administratën Trump për të trajtuar zvogëlimin e barrës së sëmundjeve kronike, për të përmirësuar rezultatet shëndetësore dhe për ta bërë kujdesin shëndetësor më të përballueshëm për amerikanët tha ai në një deklaratë.
“Ne gjithashtu duhet të frenojmë abuzimet që rrisin kostot në farmaci”.