Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka shpërblyer fituesit e një konkursi shkrimi të dedikuar për studentët, organizuar në kuadër të “Ditëve të Gjuhës Gjermane”.
Shtatë studentë të talentuar u nderuan për esetë e tyre të cilat, sipas ambasadës, pasqyronin përvoja personale që lidhnin Kosovën me Gjermaninë, duke theksuar afërsinë e thellë mes dy vendeve.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve u mbajt në Rezidencën e Ambasadorit Gjerman dhe mblodhi së bashku fituesit, prindërit e tyre dhe mësuesit e gjuhës gjermane.
Ajo u karakterizua nga një atmosferë solemne dhe frymëzuese.
Një moment i veçantë i ngjarjes ishte paraqitja e papritur e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, i cili u cilësua nga ambasada si “mysafir surprizë”.
Kurti përgëzoi fituesit për suksesin e tyre dhe vlerësoi rëndësinë e marrëdhënieve të ngushta ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.
“Ishte një pasdite frymëzuese, duke shfaqur potencialin e jashtëzakonshëm të brezit të ardhshëm. Një falënderim i madh për të gjithë ata që e bënë këtë moment kaq të veçantë”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Gjermane.