Rohde i shqetësuar me “bllokadën e vazhdueshme politike dhe institucionale”

Rohde i shqetësuar me “bllokadën e vazhdueshme politike dhe institucionale”

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka shprehur shqetësim për siç ka thënë bllokadën e vazhdueshme politike dhe institucionale, referuar konstituimit të institucioneve.

Këtë deklaratë Rohde e ka bërë pas takimit që ka zhvilluar dje me Presidenten Vjosa Osmani.

Ai ka shprehur shqetësim edhe për diskursin publik së fundi që thotë se ngrit dyshime mbi vendimet gjyqësore. Diskutimin me Osmanin, ai e ka cilësuar si të frytshëm.

“Faleminderit, Znj. Presidente, për diskutimin e frytshëm! Gjatë takimit shpreha shqetësimin tim për bllokadën e vazhdueshme politike dhe institucionale, si dhe për diskursin publik të kohëve të fundit që hedh dyshime mbi vendimet gjyqësore, pasi zhvillime të tilla rrezikojnë të minojnë besimin e publikut në pavarësinë dhe integritetin e sistemit gjyqësor”, ka shkruar Rohde.

Thank you Madam President for the good discussion! At the meeting I expressed my concern on the ongoing pol. & instit. deadlock as well as recent public discourse that casts doubt on judicial rulings, as such developments risk eroding public trust in the independence and the integrity of judiciary.

[image or embed]— Ambassador Jörn Rohde (@pristina.diplo.de) September 3, 2025 at 1:17 PM

Përveç me Rohden, Osmani është takuar dje edhe me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves.

Hargreaves ka konsideruar se Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituar, teksa ka theksuar nevojën urgjente që të ndërmerren hapat e ardhshëm në këtë drejtim.

Osmani ka thënë se do të veprojë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

“Presidentja ka riafirmuar se sikurse gjithmonë, do të veprojë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, duke garantuar stabilitetin institucional dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës”, ka theksuar Presidenca në njoftimin për këtë takim.

Pavarësisht dështimit për zgjedhjen e nënkryetarit serb, Kryeparlamentari Dimal Basha e ka përmbyllur seancën konstituive të shtunën, duke e konsideruar Kuvendin si të konstituuar.

Osmani e ka pritur të hënën në takim Bashën, ku ai ka prezantuar qëndrimin e tij lidhur me konstituimin e Kuvendit. Osmani e ka informuar Bashën se ekipi ligjor i Presidencës është duke bërë analizën lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

“Presidentja ka potencuar se, sikurse gjithmonë, do të veprojë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, duke garantuar stabilitetin institucional dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës”, ka njoftuar Presidenca.

Related Articles