Ronaldo kritikohet para takimit ndaj Zvicrës

Ronaldo kritikohet para takimit ndaj Zvicrës

Cristiano Ronaldo ishte tema e zakonshme e nxehtë në konferencën për shtyp të Portugalisë të hënën, para ndeshjes në Kupën e Botës ndaj Zvicrës. Megjithatë, çështjet nuk ishin aspak pozitive për t’u trajtuar nga trajneri portugez. Nisi prej thashethemeve për të ardhmen e Ronaldos, vazhdoi me reagimin e tij të pahijshëm pasi u zëvendësua në ndeshjen e fundit dhe u mbyll me një sondazh në Portugali ku shumica e tifozëve nuk e duan 37-vjeçarin titullar në duelin ndaj Zvicrës.

Dy nga këto tema u shmangën nga Fernando Santos, i cili ka drejtuar Portugalinë dhe ka nxitur lojtarin e tij yll për më shumë se tetë vjet.

Portugalia përballet të martën mbrëma me Zvicrën në 1/8 e finales në Botërorin në Katar. Është ndeshja e fundit e kësaj faze, kurse fillon në ora 20:00.

“Nuk e di me të vërtetë për këtë, të jem i sinqertë,” tha Santos në lidhje me një raportim të mediave spanjolle se Ronaldo do të nënshkruajë kontratë me klubin nga Arabia Saudite, Al Nassr. “Ky është vendimi i tij, me këtë duhet të merret ai”.

Në temën e sondazhit të së përditshmes portugeze “O Bola”, Santos, shtoi: “Nuk po u kushtoj vëmendje sondazheve apo ndonjë lloji tjetër të këtij lajmi”.

Megjithatë, çështja e sjelljes së Ronaldos pas zëvendësimit në humbjen 3:2 nga Koreja e Jugut, e detyroi Santosin ta shfaqë autoritetin e tij brenda ekipit.

“Nuk më pëlqeu aspak. Nuk më pëlqeu vërtet”, tha Santos për imazhet që nuk i kishte parë gjatë ndeshjes. “Ne e rregulluam atë çështje në stërvitje dhe kaq”.

Kur u pyet nëse i besonte ende kapitenit të tij, Santos tregoi sërish se kush ishte shefi në kampin e Portugalisë.

“Unë vendos se kush do të jetë kapiten vetëm kur të arrij në stadium. Nuk e di se cili është formacioni”, tha trajneri, duke këmbëngulur se kjo ishte në përputhje me mënyrën se si ai gjithmonë komunikonte me ekipin.

Santos dha shpjegimet e tij duke qëndruar pranë mbrojtësit Ruben Dias, i cili më herët u kishte bërë thirrje mediave portugeze për të ndihmuar në “krijimin e unitetit” në kamp në vend të ndarjes.

“Mendoj se tani kemi nevojë për përkrahje dhe jo gjëra të tilla. Na duhet energjia për të avancuar tutje”, tha Dias.

Krahas Diasit, Portugalisë në përbërje i kthehen edhe Bruno Fernandes e Bernardo Silva, të cilët u pushuan në ndeshjen e fundit.

Portugalia përfundoi e para në Grupin H me gjashtë pikë të mbledhura pas tri ndeshjeve të luajtura, ndërsa Zvicra doli e dytë në Grupin G, të cilin e fitoi Brazili.

Santos insistoi se e njeh shumë mirë Zvicrën, që e quajti një ekip të organizuar me lojtarë fantastikë. Ai pret një ndeshje të fortë duke pasur parasysh se dy ekipet u përballën në edicionin e fundit të Ligës së Kombeve. Ndeshjen e parë e fitoi Portugalia 4:0, përpara se të mposhtej nga Zvicra në duelin e muajit qershor.

“Nuk do të jetë hera e parë kundër zviceranëve, e dimë se do të jetë një ndeshje e vështirë. Zvicra është skuadër mirë e organizuar, me lojtarë cilësorë dhe ka lojë të mirë. Zviceranët janë të sinkronizuar shumë mirë dhe janë gjithmonë të përqendruar. Kjo është ajo që ne presim në këtë ndeshje, pra do të përballemi me një skuadër të disiplinuar”, shtoi Santos.

Edhe homologu i Santosit, trajneri i Zvicrës, Hakan Yakin, pret përballje të vështirë. Zvicra është eliminuar në 1/8 e finales në dy Botërorët e fundit, por Yakin tha se perspektiva e përballjes me Portugalinë duhet të jetë motivim i mjaftueshëm për ekipin e tij që ta tejkalojë këtë pengesë. Në fakt Zvicra ka një rast për të shkuar në çerekfinale të Botërorit për herë të parë që nga viti 1954, por Yakin thotë se krijimi i historisë nuk është në mendjen e tij.

“Jemi të vetëdijshëm se do të përballemi me një ekip të përgatitur mirë, të pjekur. Të jemi në gjendje të shkruajmë historinë nuk do të jetë vendimtare për ne. Ne i njohim kundërshtarët tanë dhe kemi treguar se mund t’i mposhtim ata. Pastaj ndoshta mund të diskutojmë historinë. Sigurisht, pritshmëritë po rriten por ne luftojmë me lojtarët që kemi dhe mundësitë që kemi”, u shpreh Yakin.

Yakin tha se ka të gjithë lojtarët në dispozicion për përzgjedhje, por nuk dha asnjë të dhënë për formacionin fillestar.

“Ne jemi gati. Ne kemi një skuadër të plotë, lojtarët që mungonin janë kthyer. Ne mezi presim ndeshjen. Është një mundësi e shkëlqyer për të vazhduar të shkruajmë historinë. Ne jemi të vetëdijshëm për euforinë në Zvicër dhe duam t’u japim të gjithëve një lojë tjetër”, shtoi Yakin.

Sulmuesi Breel Embolo vlerësohet njeriu i momentit te Zvicra, pasi shënoi dy gola në fazën e grupeve, ndërsa në total ka katër gola në pesë ndeshjet e fundit. Embolo e përshkroi Ronaldon të hënën si “një frymëzim dhe si lojtar që është nder të përballesh me të”.

Related Articles