Gjykata Themelore në Prishtinë u ka caktuar nga një muaj paraburgim tre të dyshuarve për rrahjen e ndodhur në Emshir të enjten e 5 shtatorit.
Gjithashtu ndaj një të dyshuari tjetër, u shqiptua masa e paraqitjes në stacion policor, në kohëzgjatje prej një muaji.
Caktimi i paraburgimit, u vendos me arsyetimin se nëse të pandehurit lihen në liri, ekziston rreziku i ikjes së tyre.
Gjykata po ashtu tregoi detajet se si ndodhi rasti.
“Ekziston dyshimi i bazuar se më datën 05.09.2024 rreth orës 20:30 në lagjen Emshir në Prishtinë për shkak të mosmarrëveshjeve me familjen H., të pandehurit në bashkëkryerje edhe me tre të mitur, me dashje dhe me qëllim të shkaktimit të lëndimeve trupore përgatiten dhe marrin mjete të përshtatshme për të shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe shkojnë në vendin ku po qëndronin të dëmtuarit A.H, N.H, S.H dhe B.H, ku pas një fjalosje të shkurtër, fillojnë ti godasin në pjesë të ndryshme të trupit me ç’rast të dëmtuarit A.H i shkaktojnë lëndime të rënda trupore. Ndërsa në të njëjtë datë, kohë dhe vend për shkak të mosmarrëveshjeve me familjen H., të pandehurit në bashkëkryerje edhe me tre të mitur, me dashje dhe me qëllim të shkaktimit të lëndimeve trupore, përgatiten dhe marrin mjete të përshtatshme për të shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe shkojnë në vendin ku po qëndronin të dëmtuarit N.H, S.H dhe B.H, ku pas një fjalosje të shkurtër fillojnë ti godasin në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast të njëjtëve ju shkaktojnë lëndime të lehta trupore”.