Një person ka pësuar lëndime trupore mesnatën e së shtunës në Kllokot.
Një gjë të tillë e kanë konfirmuar nga Policia e Gjilanit duke thënë se ka pasur një rrahje mes dy grupe personash.
Sipas PK-së, i njëjti ka marrë lëndime trupore dhe ka marrë trajtime mjekësore.
“Njësitet policore, me urgjencë i janë përgjigjur rastit. Policia ka kontaktuar me ankuesit, por nuk kanë arritur të takojnë apo identifikojnë të dyshuarit e mundshëm. Pasi ankuesit ishin nën ndikim të alkoolit njëri 1.63 promila dhe tjetri 0.91 promila nuk janë intervistuar fillimisht”, bën të ditur për Demokracia.com zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.
“Bazuar në informacionet e para kemi te bëjmë me një rrahje në mes dy grupeve të personave dhe si pasojë një person ka marr lëndime të lehta trupore dhe i njejti ka pranuar tretman mjekësor. Në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit i cili rastin e ka cilësuar si ‘Lëndim i lehtë trupor’”.
“Njësitë policore të Hetimeve Rajonale Gjilan se bashku edhe me hetuesit e Stacionit Policor Kllokot kanë vazhduar procedurat hetimore duke bërë shikimin e vendit të ngjarjes, përfshirë këqyrjen e kamerave të sigurisë që janë në atë zonë ku dyshohet të ketë ndodhur rasti. Hetuesit policorë në koordinim me Prokurorin e Shtetit e shtetit po punojnë intenzivisht në grumbullimin e dëshmive lidhur me rastin dhe zbardhjen e tij, në mënyrë që të dyshuarit të vihen para organeve të drejtësisë”, përfundon ai.