Rrahmani beson se Napoli do të luftojë për scudetto

Rrahmani beson se Napoli do të luftojë për scudetto

Kushdo që e përjashton Napolin nga gara për titullin e kampionit këtë edicion në Serie A do të bëjë një gabim shumë të madh. Kështu ka insistuar qendërmbrojtësi Amir Rrahmani, raporton të premten “Corriere dello Sport”.

Rrahmani është i bindur se Napoli do të luftojë për titull deri në fund pas fitores së thellë në xhiron e parë kundër Veronas me rezultatin 5:2. Kapiteni i Përfaqësueses së Kosovës ka pranuar se ëndrra është që në fund të sezonit ta fitojë titullin me skuadrën e Napolit. Ai beson se Napoli ka ekip për t’i sfiduar të gjithë kundërshtarët, përkundër ndryshimeve të mëdha që i ka bërë këtë verë.

“Sa i përket titullit të kampionit, është sikurse vitin e shkuar. Pra, në duhet të shkojmë ndeshje pas ndeshjeje për ta mbajtur hapin me kreun dhe të luftojmë për titull deri në fund. Kështu që, të shpresojmë se do të shpallemi kampion edhe pse nuk do të jetë lehtë, por jemi gati për të luftuar”, është shprehur Rrahmani 28-vjeçar.

Reprezentuesi i Kosovës, ditë më parë është vlerësuar si lider i ekipit nga trajneri Luciano Spalletti. Këtë edicion, Rrahmani do ta ketë një partner tjetër në mbrojtje, pasi senegalezi Kalidou Koulibaly iu bashkua Chelseat. Për ta zëvendësuar Koulibalyn, Napoli transferoi mbrojtësin e Koresë se Jugut, Kim Min-Jae, nga Fenerbahçe. Ai tashmë ka luajtur përkrah Rrahmani në ndeshjen ndaj Napolit dhe paraqitja e tij është vlerësuar lart. Krahas Koulibalyt, janë larguar edhe Lorenzo Insigne e Dries Mertens nga Napoli për t’u zëvendësuar me Giovanni Simeonen, Tanguy Ndombelen, Giacomo Raspedorin e Kvicha Kvaratskheilan.

“Ne vazhdimisht po flasim me të dhe po mundohemi të përmirësohemi edhe më shumë dhe t’u përshtatemi kërkesave të trajnerit. Në Turqi, ai ka luajtur një lojë tjetër dhe tani duhet të adaptohet me lojën tonë. Tani për tani, ne po kuptohemi shumë mirë”, shtoi Rrahmani, që ka folur edhe për transferimet e tjera te Napoli. “Ata që u larguan ishin lojtarë të rëndësishëm, ndërsa ata që janë sjellë për t’i zëvendësuar duhet të bëjnë mirë. Transferimet e reja tashmë po e bëjnë këtë dhe jam i bindur që do të kenë paraqitje të mira për ta ndihmuar ekipin”.

Ndeshjen e radhës, Napoli e luan të dielën në shtëpi. E pret skuadrën e promovuar këtë edicion në Serie A, Monzan. Rrahmani thotë se pret një paraqitje të mirë dhe shpreson që Napoli ta regjistrojë fitoren e radhës në kampionat.

“Ka kaluar shumë kohë qëkur kemi luajtur ndeshjen e fundit në shtëpi. Shpresoj që ndaj Monzas të kemi një paraqitje të mirë dhe t’i gëzojmë tifozët tanë me fitore. Është e rëndësishme ta mbajmë ritmin me të cilin e filluam edicionin”, është shprehur ai.

Rrahmani iu bashkua Napolit në verën e vitit 2020 dhe është shndërruar në njërin prej lojtarëve kryesorë në ekip. Sezonin e shkuar, ai shënoi katër gola në 33 ndeshje në Serie A, ndërsa në total pati 41 paraqitje për Napolin në të gjitha garat. Rrahmani ka kontratë me Napolin deri në vitin 2024, të cilën së shpejti pritet ta rinovojë.

Related Articles