“Gjithçka ka ndodhur në vetëmbrojtje”. Kjo është fjalia që familja e ushtarit të FSK-së, Azem Kurtaj, ia tha Nacionales për ngjarjen që ndodhi të premten në Shtërpcë, atje ku dyshohet se Azemi ka shtënë me armë zjarri, nga plumbat e së cilës kanë pësuar dy të rinj serbë, njëri 11 e tjetri 21-vjeçar. Ushtari i FSK-së tashmë është ndaluar nga Policia e Kosovës. Ai ka vendosur që deri në seancën dëgjimore të mbrohet në heshtje. Nacionale e ka vizituar familjen e ushtarit të shtunën gjatë ditës dhe prej atje jua sjell rrëfimin e familjes e të avokatit të Azem Kurtajt.
Disa burra e kanë mësyrë të shtunën pasdite fshatin Gabrricë të komunës së Kaçanikut. Lagjja “Vëllezërit Kurtaj” kishte më shumë lëvizje të veturave të shtunën sesa në ditët e tjera. Destinacion ishin shtëpitë e Kurtajve.
Djali i familjes, Azemi, ka disa orë që gjendet në njërën nga qendrat e ndalimit. Pjesëtari i FSK-së dyshohet se të premten pasdite ka shtënë me armë zjarri në Shtërpcë. Si pasojë, të plagosur kanë mbetur dy persona nga komuniteti serb, njëri 11 vjeç e tjetri 21-vjeçar.
Familja: Jemi të shqetësuar, e dimë që Azemi ka gjuajtur në vetëmbrojtje
Nga familja e ushtarit pak dinë rreth asaj që ka ndodhur të premten pasdite. Por assesi nuk besojnë që me qëllim për t’i vrarë djali i tyre ka shtënë drejt qytetarëve në atë zonë.
Axha i Azemit, Afrimi, në një bisedë prapa kamerave për Nacionalen tha se nipit të tij nga persona për ta panjohur në Shtërpcë i është bllokuar rruga. Si pasojë, Azemi ka shtënë në tokë në vetëmbrojtje.
“Të gjithë jemi të shqetësuar për rastin. Pak dimë edhe ne, por e dimë që iu ka blloku rruga edhe në mbrojtje ka gjujtë. Ai (Azemi) ka qenë duke kalu andej”- i tha gazetës axha i tij.
Kur u pyet se ku e kishte marrë armën pjesëtari i ushtrisë, axha tha se e kishte me leje.
“Arma sigurisht që ka qenë me leje”- tha për Nacionalen, duke mos dashur që të komentonte më shumë axha i Azemit.
Nga familja e tij kanë sqaruar se në momentin kritik, ushtari kishte qenë duke vozitur veturën e tipit Golf 5 ngjyrë hiri.
Avokati i ushtarit Azem Kurtaj: Klienti im është shumë i shqetësuar, thotë se në vetëmbrojtje ka ndodhur gjithçka
Mbrojtja e ushtarit Azem Kurtaj, avokatri Naim Ferati dha pak hollësi rreth komunikimit të parë me klientin e tij.
Avokati sqaroi se gjendja emocionale e Kurtajt është e rëndë pas asaj që ka ndodhur të premten pasdite. Tha se, në bazë të asaj se çka i ka thënë ushtari, rasti ka ndodhur në vetëmbrojtje.
“Nesër e kemi seancën dëgjimore. Në këtë fazë, klienti im e ka shfrytëzuar të drejtën që të mbrohet në heshtje tash për tash. S’kemi shumë informacione, sepse ende s’e kemi takuar. Rasti, sipas klientit tim, ka ndodhur në vetëmbrojtje. Duhet me folë tash me klientin e me i sqaru rrethanat. Dje ka qenë i shqetësuar, i traumatizuar. Nuk e ka pritë që po ndodh diçka e tillë”- tha Naim Ferati, avokat i ushtarit Azem Kurtaj.
Kush është Azem Kurtaj?
Azem Kurtaj, është djali i dëshmorit të UÇK-së Danush Kurtajt i cili kishte mbetur i plagosur rëndë më 21 maj të vitit 1999 për të vdekur një ditë më pas. Ai kishte qenë i burgosur në Dubravë dhe ishte mes shumë viktimave në masakrën e kryer nga forcat serbe.
Më 25 nëntor, ose më pak se dy muaj më parë, Azem Kurtaj kishte qenë mes ushtarëve të Kosovës që ishin dekoruar nga Ushtria e Shqipërisë.
Në një lidhje telefonike me portalin Indeksonline, Kurtaj ka thënë se ndihet i pafajshëm për rastin që ka ndodhur në Shtërpcë.
Nga ky rast raportohet se mbetën të plagosur Stefan Stojanoviqi (11 vjeçar) dhe Millosh Stojanoviqi (21 vjeçar). Pas këtij rasti, serbët kishin bllokuar magjistralen Ferizaj-Shtërpcë.