Itay Regev ishte në mesin e qindra izraelitëve që u morën peng nga luftëtarët e Hamasit më 7 tetor, në Izraelin jugor. Ai ishte mbajtur për 54 ditë peng, në kushte të cilat i përshkruan si shumë të rënda. I riu kërkon nga Izraeli që të bëjë gjithçka që duhet për t’i kthyer në shtëpi edhe të tjerët, duke thënë se ai do të bëhet zëri i shokut të tij që vazhdon të mbetet peng në Gaza
(BBC) – Një peng izraelit i liruar nga Gaza tre muaj më parë ka akuzuar botën se i ka harruar ata që ende mbahen nga Hamasi dhe i ka kërkuar Qeverisë izraelite të bëjë gjithçka që duhet për t’i sjellë ata në shtëpi.
Itay Regev, 19 vjeç, tha për BBC-në se ai u mbajt në kushte “të tmerrshme” nga rrëmbyes “shumë, shumë të egër” dhe ai nuk mendonte se do të dilte i gjallë.
Ai u rrëmbye nga festivali i muzikës “Nova” me motrën dhe një shok të tij.
Bisedimet për një armëpushim dhe shkëmbim pengjesh kanë vazhduar prej javësh ndërmjet Izraelit dhe Hamasit. Por ende nuk ka një marrëveshje, me pikat e raportuara që kanë ngecur duke përfshirë kërkesën e Hamasit për një armëpushim të përhershëm dhe tërheqjen e trupave izraelite nga Gaza, të cilën kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e ka quajtur “kërkesë deluzionare”.
Megjithatë, Itay, i cili u lirua së bashku me motrën e tij, Maya dhe 103 pengje të tjerë në këmbim të rreth 240 të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite gjatë një armëpushimi të shkurtër në nëntor – e ka të qartë se çfarë duhet të ndodhë.
“Unë mendoj se ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i larguar ata nga atje, pavarësisht nga çmimi që duhet paguar… Janë jetë njerëzish”, ka thënë ai në intervistën e tij të parë për BBC-në.
Jam i sigurt se nëse dikujt do t’i rrëmbehej fëmija, nuk do t’i interesonte vërtet se çfarë çmimi do të duhej të paguante. Ne duhet t’i kthejmë pengjet me çdo kusht”, është shprehur ai.
Rreth 130 pengje, duke përfshirë edhe shokun e Itayt, Omerin, mbahen ende në Gaza. Zyrtarët izraelitë kanë thënë se besojnë se rreth 30 nga ata që janë ende në Gaza janë të vdekur.
Itay ka shkuar në Londër për të ngritur çështjen e tyre me deputetët britanikë. Ai ka thënë se ishte atje për të “ngre zërin për ata në Gazë” – dhe dëshiron që komuniteti ndërkombëtar të bëjë më shumë për të siguruar lirimin e tyre.
“Pengjet janë aty tash e pesë muaj. Përgjigjja është e qartë, ‘jo nuk po bëjnë sa duhet’. Pesë muaj të mos shohësh rrezet e diellit dhe të mos e dish se çfarë po ndodh me familjen tënde, për pesë muaj të jesh në kushte të tmerrshme dhe i uritur… Ata duhet të nxirren nga atje sa më shpejt që të jetë e mundur. Ata kanë ndjenjën e tmerrshme të të mos diturit se cili do të jetë fati i tyre nga një sekondë në tjetrin”, ka thënë ai teksa ka treguar për situatën me pengjet.
54 ditët e robërisë
Duke përshkruar 54 ditët e robërisë së tij, Itay ka thënë se gjatë kohës sa po qëndronte atje, ishte pajtuar me faktin se mund të vritej.
“Ne ishim shumë, shumë të uritur. Unë nuk bëra dush për 54 ditë. Rrëmbyesit e mi ishin shumë, shumë të egër. Atyre nuk u interesonte. Unë kisha plagë në këmbë, plagë të madhe. Dhe aty jetohej me ndjenjën e tmerrshme të frikës. Çdo sekondë që jeton me këtë ndjenjë, është e tmerrshme kur nuk e di nëse do të zgjohesh në mëngjes, apo brenda një minute mund të vdesësh nëse një raketë bie mbi ty, apo nëse ata do të vijnë drejt teje me një kallashnikov dhe do të fillojnë të shpërndajnë plumba. Kushtet atje janë shumë të rënda”, është shprehur Itay.
Lufta nisi kur Hamasi sulmoi Izraelin jugor më 7 tetor, duke lënë të vdekur 1200 njerëz dhe duke rrëmbyer 253 të tjerë. Më shumë se 31.300 njerëz kanë mbetur të vdekur në Gazë që atëherë, ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë që udhëhiqet nga Hamasi.
Hamasi sulmoi vendin ku po mbahej festivali muzikor “Nova” ku më shumë se 360 të rinj pjesëmarrës në festë u qëlluan, u rrahën ose u dogjën për vdekje. 40 të tjerë u morën peng, përfshirë Itay.
Ai kujton se kishte dëgjuar raketa, të shtëna dhe ulërima ndërsa persona të armatosur po e rrethonin vendin ku po mbahej festivali.
“Hipëm në një veturë duke u përpjekur të iknim nga vendi dhe pas pesë minutash hasëm në një furgon terroristësh që gjuanin të gjitha automjetet me plumba pa mëshirë. Unë u qëllova në këmbë. Edhe motra ime u qëllua në këmbë. Dhe terroristët dolën nga furgoni. Ata më nxorën jashtë, m’i lidhën duart dhe thjesht filluan të vozisin për në Gaza”, është shprehur Itay.
Ai tha se mendonte se do të vritej pasi luftëtarët e Hamasit gjatë gjithë kohës i bënin gjeste me duar për t’i treguar se do ta presin në fyt.
Lamtumira me motrën
“Pashë motrën time Maya të plagosur dhe duke qarë. Maya gjithashtu atë ditë më tha lamtumirë dhe më tha se nëse unë do të dilja gjallë nga aty, t’u thosha prindërve se ajo i donte shumë ata. Kjo është një ditë që nuk do ta harroj kurrë, deri në fund të jetës sime”, ka shtuar ai.
Fillimisht, tregon Itay, ai ishte dërguar në një shtëpi me një hyrje si tunel brenda, dhe më pas, ai mendon se është dërguar në spital.
“Ne hymë në Gaza dhe terroristët filluan të gjuanin, të bërtisnin dhe të festonin. Ishte si një festë e madhe. Na futën në shtëpi dhe në mes të asaj shtëpie ishte një tunel. Na shtynë të zbrisnim në të”, ka shpjeguar ai.
Itay ka shtuar se ishte dërguar në një spital ku një mjek “shumë, shumë i shqetësuar” dhe disa luftëtarë të Hamasit ishin të pranishëm. Mjeku e largoi plumbin nga këmba e tij pa asnjë anestezi apo qetësues.
“Më futën pincën në këmbë dhe e nxorën plumbin pa anestezi. Më thanë hesht se po të mos hesht do të më vrasin. Gjatë gjithë asaj kohe ka pasur më shumë abuzime, shuplaka në fytyrë dhe pështymje”.
Ai u nda nga Maya, së cilës iu dha edhe trajtim mjekësor. Por ata ende arritën të komunikojnë. Kërkesa e Mayas për të parë vëllain e saj u refuzua nga rrëmbyesit, por atij ia dërguan një shënim nga ajo. Edhe Itay i shkroi asaj dhe ata komunikuan në këtë mënyrë gjatë gjithë kohës sa qëndruan robër.
Maya, e cila nuk ishte në gjendje të ecte kur u lirua, tani është duke u rehabilituar.
Itay, i cili mbushi 19 vjet javën e kaluar, është i lumtur që ka lirinë e tij, por lufton për ata të cilët kanë mbetur ende peng në Gaza, përfshirë edhe mikun e tij, Omerin.
“Pse Omer është ende atje dhe unë jam këtu? Ndonjëherë ndihem keq për këtë. Unë thjesht do të bëja gjithçka për ta kthyer atë”, ka thënë ai.
“Unë isha atje me të dhe e di saktësisht se si ndihet dhe dua të bërtas në emër të tij, sepse ai nuk mund ta bëjë vetë. Ai është i pafuqishëm”, ka përfunduar Itay rrëfimin e tij.