Një burrë rrëmbeu një aeroplan të vogël në Belize të Amerikës Qendrore, duke plagosur me thikë dy pasagjerë dhe pilotin, përpara se të qëllohej për vdekje nga një prej pasagjerëve të sulmuar, njoftuan autoritetet vendase.
Avioni i kompanisë Tropic Air, me 14 pasagjerë dhe dy anëtarë ekuipazhi në bord, ishte nisur nga Corozal drejt destinacionit turistik San Pedro kur ndodhi incidenti.
Sipas autoriteteve, aeroplani lëvizi në mënyrë të çrregullt për rreth dy orë dhe u ndoq nga një helikopter policie, përpara se të realizonte një ulje emergjente në aeroportin e qytetit bregdetar Ladyville.
Zyrtarët e aeroportit konfirmuan se incidenti filloi rreth orës 08:30 të mëngjesit (ora lokale) dhe çoi në shpalljen e një gjendjeje emergjente.
“Përballë një presioni të jashtëzakonshëm, piloti ynë veproi me guxim dhe qetësi të jashtëzakonshme, duke realizuar një ulje të sigurt,” tha CEO i Tropic Air, Maximillian Greif, duke e cilësuar reagimin e pilotit si heroik.
Tre të plagosurit – dy pasagjerë dhe piloti – po trajtohen në spital. Një prej pasagjerëve të goditur me thikë, i cili kishte leje për mbajtjen e armës së zjarrit, qëlloi dhe vrau agresorin, identifikuar si Akinyela Taylor. Pasagjeri që qëlloi agresorin u plagos rëndë në shpinë dhe mushkëri, dhe ndodhet në gjendje kritike.
“Ne po lutemi për të,” deklaroi Komisioneri i Policisë në Belize, Chester Williams, duke e cilësuar pasagjerin si “heroin tonë”.
Autoritetet besojnë se rrëmbyesi kërkonte të fluturonte jashtë vendit dhe kishte këmbëngulur që të dërgohej në SHBA. Megjithatë, motivi i tij mbetet ende i paqartë. Sipas zyrtarëve amerikanë, Taylor mund të ketë qenë një veteran i forcave amerikane, por kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Ambasada amerikane në Belize ka nisur bashkëpunimin me autoritetet lokale për të hetuar më tej motivet dhe rrethanat e ngjarjes.