Operacioni antidrogë i Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale, i koduar si “Qielli i Thyer” që kishte cak një grup kriminal, të dyshuar për trafikim me narkotikë, rezultoi me arrestimin e 22 personave pas bastisjeve që u realizuan në 47 lokacione.
Në media u raportua se njëri nga të arrestuarit në rajonin e Prishtinës është Shemsi Bahtiri nga Prishtina, i cili ishte objekt hetimi, nën dyshimin se ka kryer disa vepra penale. Për të u tha se është njeri i afërt me Lëvizjen Vetëvendosje, posaçërisht me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Pas këtyre raportimeve ka reaguar Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila tha se njerëzit e afërt me VV-në janë të përlyer në afera që nga trafikimi i drogës e deri te shitja e energjisë.
“Tani, sipas raportimeve të dokumentuara me fotografi dhe fakte, del se shefi i rrjetit të shpërndarjes së heroinës në Kosovë është një eksponent i afërt me Lëvizjen Vetëvendosje, dhe me ish Ministrin e Brendshëm në veçanti”.
“Lëvizja që dikur imponohej si puritane, që shiste moral politik dhe integritet, sot del që njerëzit e afërt me ta, janë të përlyer në afera që nga trafikimi i drogës e deri te shitja e energjisë”, tha Çitaku.
Tutje, ajo u shpreh se “kjo nuk është thjesht hipokrizi, por është rrezik për shoqërinë. Marri e papërshkrueshme”.