“Rrezikshmëri të lartë”, KEK-u angazhon policinë për ruajtjen e objekteve

“Rrezikshmëri të lartë”, KEK-u angazhon policinë për ruajtjen e objekteve

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) dhe Policia e Kosovës (PK) kanë nënshkruar sot një marrëveshje për ofrimin e shërbimeve me qëllim të përmirësimit të nivelit të sigurisë në dhe për rreth objekteve të KEK-ut.

Në kumtesën për media nga kjo korporatë theksojnë se objektet e KEK-ut kanë rëndësi të veçantë dhe se janë të lidhura ngushtë me interesin nacional.

“Marrëveshja thekson nevojën për rritjen e masave të sigurisë, duke marrë parasysh natyrën e këtyre objekteve, të cilat kanë rrezikshmëri të lartë”.

“Vlen të theksohet se KEK ka qenë objekt i sulmeve të shumëfishta nga individë dhe grupe të jashtme, të cilët, përveç shkatërrimit të materialeve, kanë dëmtuar rëndë pajisjet e korporatës. Me këtë marrëveshje, KEK dhe Policia e Kosovës synojnë të forcojnë bashkëpunimin dhe të rrisin sigurinë, duke garantuar vazhdimësinë e furnizimit me energji dhe ruajtjen e pasurisë strategjike të Kosovës”, thuhet në njoftimin për media të KEK-ut.

Tutje theksohet se ky hap i rëndësishëm është pjesë e angazhimeve të përbashkëta për sigurimin e objekteve kritike dhe përparimin e rendit dhe sigurisë në sektorin energjetik.

Related Articles