Janë rritur kërkesat për pajisje me dokumente të Kosovës dhe targa RKS nga qytetarët e Zubin Potokut, që kryesisht janë të nacionalitetit serb.
Këtë e tha në emisionin “Ditari” në Tëvë1, i pari i kësaj Komune, Izmir Zeqiri.
Megjithatë, Zeqiri tha se qytetarët serbë kanë frikë që të regjistrimin e veturave dhe dokumentet tjera t’i kërkojnë në zyrën që ndodhet në qendër të Zubin Potokut, andaj sipas tij një gjë të tillë e bëjnë në Çabër, ku frekuentimi i serbëve është më i vogël.
“Më tepër janë ata që i përditësojnë dokumentet sepse këta i kanë poseduar dyfish dokumente nga e ashtuquajtura zyra për Kosovën në Serbi, mirëpo ato dokumente si duket nuk janë valide për të lëvizur nëpër shtete të Evropës dhe është shtuar kërkesa për dokumente të Kosovës. Ndërsa sa i përket regjistrimit të veturave, nuk ka pas problem me regjistrimin e veturave, personeli që punon në zyrën në qendër të qytetit zyrën e ka pranë stacionit policor, por më tepër e preferojnë popullata të shkojnë në zyrën për komunitete që gjendet në Çabër se sa në qendër të Zubin Potokut për shkak se mos me pa njëri-tjetrin se po shkon dhe po nxjerr dokumente, duket se po ruhen nga dikush”, tha Zeqiri.
Megjithatë, ai tha se muajve të fundit në Kosovë komunë nuk ka pasur djegie të veturave apo ndonjë incident.
Zeqiri tha se aktualisht në Zubin Potok është një qetësi por jo edhe stabilitet sa duhet.
“Kemi kërkesa të vazhdueshme për punësime, për hapjen e konkurseve, mirëpo nuk e preferojnë fort të punojnë institucionalisht për shkak të frikës. Kemi kërkesa për ndihma të ndryshme, kemi kontakte për ndihma, për renovime të shtëpive, kërkesa për ndihma financiare etj.”, tha Zeqiri
Ndërsa, i pyetur nëse ka ndonjë nismë për peticion për shkarkimin e tij në mënyrë që t’i mundësoj kësaj Komune të shkoj në zgjedhje të parakohshme, Zeqiri tha se aktualisht nuk ka ndonjë nisë të tillë.