21 persona janë konfirmuar të vdekur nga një sulm në një hotel në Somali nga grupi militant terrorist, al-Shabaab.
Forcat somaleze të sigurisë kanë thënë se kanë shpëtuar 106 persona të cilët ishin bllokuar brenda një hoteli që ishte sulmuar nga militantët të premten mbrëma.
Lufta për të rimarrë hotelin përfundoi brenda natës, thanë zyrtarët. Sulmuesit përdorën eksploziv për të hyrë në hotelin Hayat në Mogadishu, para se të merrnin kontrollin me dhunë.
Ministri i Shëndetësisë, Ali Haji Adan, tha se 117 persona janë lënduar, 15 prej të cilëve janë në gjendje kritike.
“Numri i të vdekurve mund të rritet pasi ekziston mundësia se anëtarët e familjeve të viktimave mund të kenë marrë trupat e të afërmve para se të bëhej një numërim zyrtar”, tha ai.
Hoteli është shkatërruar pas luftimeve intensive mes militantëve dhe forcave të sigurisë gjatë natës të së premtes dhe së shtunës.
Al-Shabaab, një degë e al-Kaidës, është përfshirë në një konflikt të gjatë me qeverinë federale.
Grupi kontrollon pjesën më të madhe të Somalisë jugore dhe qendrore, por ka qenë në gjendje të shtrijë ndikimin e tij në zonat e kontrolluara nga qeveria me bazë në Mogadishu.
Në javët e fundit, luftëtarët e lidhur me grupin kanë sulmuar gjithashtu objektiva përgjatë kufirit Somali-Etiopi, gjë që ka ngritur shqetësime për një strategji të re të mundshme nga al-Shabaab.
Sulmi i së premtes shënon sulmin e parë në kryeqytet nga grupi që kur presidenti i ri i Somalisë, Hassan Sheikh Mohamud, u zgjodh në maj, raporton BBC.
Sulmi më vdekjeprurës ishte në tetor të vitit 2017, kur më shumë se 500 njerëz u vranë, kur një kamion i mbushur me eksplozivë u shpërthye në një nga kryqëzimet më të ngarkuara të qytetit. Asnjë grup nuk tha se qëndronte pas atij sulmi, megjithëse korrespondentët thonë se të gjitha indikacionet janë se al-Shabaab ishte përgjegjës.