Rritet numri i vatrave të zjarrit në vend – 19 janë aktive, situata më e rënduar në Kamenicë, Mitrovicë dhe Podujevë

Rritet numri i vatrave të zjarrit në vend – 19 janë aktive, situata më e rënduar në Kamenicë, Mitrovicë dhe Podujevë

Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) ka njoftuar se gjatë periudhës së fundit raportuese janë regjistruar gjithsej 51 vatra zjarri në tërë territorin e Kosovës. Sipas të dhënave zyrtare, 19 prej tyre vazhdojnë të jenë aktive, ndërsa 32 janë lokalizuar falë intervenimit të shpejtë të Njësive të Zjarrfikësve dhe strukturave të tjera mbështetëse.

Menaxhimi i situatës po zhvillohet në koordinim të ngushtë me Njësitë e Zjarrfikjes, Qendrat Operative 112, Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera përgjegjëse, për të parandaluar përhapjen e mëtejme të zjarreve dhe për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve.

Situata më e rënduar është paraqitur në komunat Kamenicë, Mitrovicë dhe Podujevë, ku vatrat janë më të mëdha dhe më të vështira për t’u vënë nën kontroll. Në fshatin Meshinë të Kamenicës, përveç zjarrfikësve, në operacion është angazhuar edhe KFOR-i, i cili ka ndërhyrë nga ajri për shuarjen e flakëve.

Agjencia e Menaxhimit Emergjent dhe Ministria e Punëve të Brendshme kanë shprehur mirënjohje për përkushtimin dhe profesionalizmin e zjarrfikësve, Policisë së Kosovës, Forcës së Sigurisë së Kosovës, KFOR-it, komunave përkatëse dhe qytetarëve që kanë kontribuar në përballimin e situatës.

Institucionet apelojnë për kujdes të shtuar, veçanërisht në periudhën me temperatura të larta dhe erëra të forta, duke kërkuar nga qytetarët që të shmangin ndezjen e zjarreve në natyrë dhe të raportojnë çdo vatër të mundshme në numrin emergjent 112.

Related Articles