Paralajmërimet që ZRRE të propozojë rritjen e çmimit të energjisë elektrike në fatura prej 42 përqind, bëri që Lidhja Demokratike e Kosovës të thërrasë konferencë për media.
Në këtë konferencë për media, deputeti i LDK-së, Besian Mustafa ka deklaruar se kjo rritje e çmimit do të rëndoj kuletën e qytetarit duke rritur çmimin e faturës së energjisë elektrike në 42%.
“Pavarësisht kalkulimeve që rezultojnë në morritje të çmimit të faturave, ato do të rriten drastikisht duke vështirësuar jetën e qytetarëve, krahas rritjes së çmimeve në shumë produkte bazë.Qeveria ishte informuar që në pranverën e vitit 2021 për rritjen e çmimit të energjisë elektrike si dhe për hapat që duhet ndërmarrë për të zbutur rritjen dhe efektin e këtij çmimi. Gjatë verës 2021, Qeveria zgjodhi akuzën dhe populizmin në kohën e zgjedhjeve lokale me shpresën e veprimit të ndonjë vote e duke dëmtuar kuletën e qytetarit”, tha ai.
Mustafa theksoi se paaftësia e mosdijes ne menaxhimin e energjisë elektrike i ka kushtuar Kosovës 20 milionë euro të ndara për Kostin dhe 20 milionë të tjera për KEDS-in.
“Gjithsej 115 milionë euro deri tash pa u investuar asnjë cent i vetëm në rritjen e kapaciteteve gjeneruese të energjisë. 115 milionë euro të shpenzuara ndërsa Qeveria refuzoi grant nga MCC e SHBA-ve që do të ndihmonte në furnizimin më të madh të energjisë dhe uljen e çmimeve.Shtrenjtimi i energjisë e dëmton edhe prodhimin vendor, pasi rritet kosto e prodhimit dhe pa vullnetin e tyre prodhuesit vendor do të detyrohen të rrisin çmimin e atyre që prodhojnë e që ndikon në xhepin e qytetarëve”, shtoi ai.
Besian Mustafa tha se mosveprimet e Qeverisë, do të dëmtojë prodhimin vendor, ekonominë e vendit dhe vendet e punës.
“Fjalët boshe për rritje ekonomike që kalojnë ato të Zvicrës, Gjermanisë e Amerikës kanë zero kuptim për bizneset që po falimentojnë çdo dit dhe për qytetarët që çdo dit mezi po sigurojnë bukën e gojës”. /Gazeta “Enigma”/