Rritja e koeficientit, Tahiri: Dështim, çfarë tjetër mund të pritej nga kjo qeveri

Rritja e koeficientit, Tahiri: Dështim, çfarë tjetër mund të pritej nga kjo qeveri

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se rritja e fundit e koeficientit të pagave në sektorin publik nga Qeveria e Kosovës “bie ndesh” me frymën e  Ligjit të ri për Pagat.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, ai ka deklaruar se kjo rritje duhet të përfshijë të gjitha kategoritë, pa përjashtim, dhe duhet të jetë rritje domethënëse.

“Rritja e koeficientit për njësi apo sektorë të caktuar është në kundërshtim të plotë me konceptin, zotimin dhe premtimet e kësaj qeverie për gjoja nivelizimin e pagave në funksion të një drejtësie më të madhe sociale. Për më tepër, praktika e rritjes së vlerës së koeficientit për sektorë specifikë krijon një precedent skadaloz që bie ndesh me natyrën dhe frymën e ligjit të ri mbi pagat”, tha Tahiri para mediave.

“Një rritje ekonomike, e cila po mungon për katër vite me radhë, do të duhej përkthehej në rritje reale të të hyrave për të gjitha kategoritë. Sidoqoftë në mungesë të rritjes dhe zhvillimit ekonomik, mjerimi i kësaj qeverie po fshihet pas këtij veprimi të fundit të qeverisë, i cili sado veprim puro elektoral, nuk mbulon as normën e inflacionit”.

“Vlera e koeficientit duhet të përfshijë të gjitha kategoritë, pa përjashtim, dhe duhet të jetë rritje domethënëse. Çfarë tjetër mund të pritej nga kjo qeveri, veçse një shkelje e parimeve për drejtësi, mirëqenie dhe përfshirje sociale për të gjithë? Dështim”, ka thënë Tahiri.

Related Articles