Rrjeti hekurudhor francez goditet nga “sabotimi” pak para nisjes së Olimpiadës

Rrjeti hekurudhor francez goditet nga “sabotimi” pak para nisjes së Olimpiadës

Sulmet me zjarrvënie goditën rrjetin e trenave të shpejtë në Francë më 26 korrik, teksa zyrtarët i quajtën akte të paramenduara “sabotimi” që ndodhën vetëm disa orë para hapjes së Lojërave Olimpike në Paris.

Sulmet e së premtes u kryen teksa në kryeqytetin francez ka masa të shtuara sigurie para mbajtjes së ceremonisë hapëse të Olimpiadës, në të cilën pritet të marrin pjesë 300.000 spektatorë.

Zjarret kanë prekur linjat veriore dhe lindore të trenave të shpejtë duke shkaktuar vonesa të udhëtimeve.

Pothuajse 800.000 pasagjerë pritet të preken gjatë fundjavës, për shkak se dëmi është i madh në rrjetin e trenave.

“Në mëngjes, sulme të koordinuara dhe përgatitura të sabotimit u kryen kundër instilacioneve të SNCF-së [operatorit kombëtar të trenave]”, tha kryeministri francez, Gabriel Attal.

“Në rrjetin e trenave ka pasoja të mëdha dhe serioz”, shtoi ai.

Dëme janë shkaktuar edhe në trenat që qarkullojnë nga Parisi për në lindje dhe perëndim të Francës. Sulmet po ashtu kanë shkaktuar anulimin e shërbimeve të udhëtimeve me trena mes Parisit dhe Londrës.

Një burim i sigurisë i tha AFP-së se shërbimet e inteligjencës në Francë po tentojnë të përcaktojnë se kush e kreu këtë sabotim. Ky burim tha se metoda e zjarrvënies i ngason sulmeve të kaluara të kryera nga figura të ekstremit të djathtë.

Sulmet në Paris ndodhën disa orë para nisjes së Paradës Olimpike, ku do të marrin pjesë deri në 7.5000 garues, të cilët do të kalojnë përmes lumit Sena.

Kjo është hera e parë që Lojërat Verore Olimpike do të hapen jashtë një stadiumi. Vendimi i Francës që ceremonia hapëse të mos mbahet në stadium paraqet edhe rreziqe, teksa shteti është në gatishmërinë më të lartë për sulme terroriste. /REL

Related Articles