Rruga drejt paqes mes Rusisë dhe Ukrainës e paqartë edhe nën administratën Trump

Rruga drejt paqes mes Rusisë dhe Ukrainës e paqartë edhe nën administratën Trump

Forcat ruse po vazhdojnë të sulmojnë Ukrainën edhe pse administrata e Presidentit Donald Trump po punon për t’i ulur palët në tryezën e bisedimeve.

Pasi Presidenti Donald Trump mori detyrën më 20 janar, Vladimir Putin e uroi atë menjëherë. Shumë e panë këtë si një dritare mundësie për të arritur një marrëveshje paqeje në Ukrainë.

Por, ndërsa forcat ruse vazhdojnë sulmin, Presidenti Vladimir Putin po akuzon ukrainasit se janë ata që nuk duan të negociojnë. Putin ka vënë gjithashtu në pikëpyetje nëse udhëheqësi i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy, gëzon autoritetin ligjor për të nënshkruar një marrëveshje paqeje.

“Është e mundur të negociohet me këdo, por për shkak se Zelensky ka një status të paligjshem nuk ka të drejtë të nënshkruajë asgjë”.

Mandati i Presidentit Zelenskyy përfundoi zyrtarisht vitin e kaluar, por ai ka vazhduar të qëndrojë në detyrë, bazuar në ligjin ushtarak që u shpall pas sulmit rus në shkallë të gjerë.

Putin pretendon se kjo e bën Zelensky një president të paligjshëm, një akuzë e refuzuar nga udhëheqësit në Ukrainë e të tjerë, që e shohin atë si një përpjekje të presidentit rus për të shmangur negociatat për paqe.

Analistët thonë se Putini nuk ka asnjë nxitim për të negociuar dhe kjo për disa arsye.

“Një nga arsyet kryesore është se Rusia po vazhdon të përparojë në fushën e betejës dhe mendoj se Putini dhe gjeneralët e tij e dinë se kjo gjë do të jetë në dobi të tyre”, thotë Ransom Miller, një ekspert në Institutin për Çështjet Globale.

Presidenti Trump ka sinjalizuar se është më pak i gatshëm të paguajë për mbrojtjen e Ukrainës sesa paraardhësi i tij, Joe Biden.

Udhëheqësit si në Uashington ashtu edhe në Moskë, duken të gatshëm të komunikojnë pas thirrjes që Presidenti Trump bëri për t’i dhënë fund luftës brenda 100 ditëve të para të presidencës së tij.

Presidenti rus Vladimir Putin ka thënë se është gati të caktojë negociatorët për të filluar punën.

Me numrin e viktimave që arrin në disa qindra mijëra dhe një ekonomi që po vuan për shkak të sanksioneve, shumë rusë duan që lufta të përfundojë.

Kremlini nuk është tërhequr nga qëndrimi i tij se Ukraina nuk duhet të anëtarësohet në NATO.

“Gjëja kryesore për Moskën është që Ukraina të mos pranohet në asnjë mënyrë nga NATO e të mos marrë mbështetje ushtarake nga Perëndimi”, thotë Anton Barbashin i organizatës ‘Riddle Russia’ – një bën bashkë një grup ekspertësh të pavarur mbi çështjet ruse.

Në Moskë pritshmëritë e banorëve atje për një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara janë të përziera.

Presidenti Trump ka kërcënuar se do të vendosë sanksione të reja ndaj Rusisë nëse Moska nuk i jep fund asaj që udhëheqësi amerikan e ka cilësuar si një luftë qesharake.

Por ajo që mbetet e paqartë është se si dhe nga ku mund të fillojë procesi për t’i dhënë fund luftës.

Related Articles