Grupi punues i Këshillit të Bashkimit Evropian për viza do të mblidhet në një takim dyditor që nis sot. Në agjendë të këtij grupi do të jetë edhe Kosova, por për vendin tonë pritet të diskutohet gjatë së premtes.
Çështja e liberalizimit të vizave për shtetasit kosovarë mori një tjetër kthesë të papritur në tetor në takimin paraprak të këtij grupi pas kërkesës së Francës, mbështetur nga disa shtete të tjera, që këtë proces ta ndërlidhë me disa kërkesa të tjera.
Franca ka kërkuar që liberalizimi të kushtëzohet me vënien në funksion të sistemit për siguri në Evropë, ETIAS, sistem ky për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit, por që i njëjti akoma nuk është funksional.
Përmes këtij sistemi, qytetarët e shteteve për të cilat janë liberalizuar vizat, duhet të regjistrojnë të dhënat e tyre para se të udhëtojnë në BE. Atëherë do të marrin konfirmimin elektronik dhe kjo do të vlejë për tre vjet.
Po ashtu, Kosovës i është kërkuar që të harmonizojë politikën e vizave me atë të Bashkimit Evropian, të rrisë kontrollin e kufijve dhe vazhdimin e riatdhesimit të atyre që duhet të lëshojnë territorin e BE-së.
Megjithatë, Qeveria e Kosovës e ka quajtur të padrejtë kushtëzimet e reja të Francës duke thënë se vendi ka plotësuar të gjitha kërkesat e kërkuara dhe nuk mund të ketë të tjera.
“Shkallët” deri te liberalizimi i vizave
Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë që nuk gëzon liberalizimin e vizave edhe pse i ka plotësuar kushtet para disa vitesh. Një rrugë e cila ka nisur 12 vite më parë ende nuk ka përfunduar.
Deri më tash nga 13 “shkallë” sa janë për të arritur liberalizmin e vizave, Kosova ka arritur deri në të 4-tën.
- Korrik 2018: Komisioni Evropian rekomandon liberalizimin e vizave për Kosovën
2. Gusht 2018: Komiteti LIBE voton pro rekomandimit të KE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën
3. Shtator 2018: Parlamenti Evropian konfirmon mandatin për negociata me Këshillin e BE-së për liberalizimin e vizave dhe
4. Shtator 2019: Komiteti LIBE voton sërish për fillimin e negociatave me Këshillin e BE-së, për të vazhduar me hapat e mbetur për liberalizimin e vizave.
Ndërkaq hapat që ende nuk ka arritur procesi për heqjen e vizave e që duhet të arrihen janë:
5. Ambasadorët e BE-së votojnë për liberalizimin e vizave
6. Mbajtja e takimit trepalësh ndërmjet Komisionit Evropian, Këshillit Evropian dhe Parlamentit Evropian
7. Ambasadorët e BE-së miratojnë marrëveshjen e arritur nga tri institucionet
8. Parlamenti Evropian voton për liberalizimin e vizave
9. Ambasadorët e BE-së votojnë me shumicë të thjeshtë për liberalizimin e vizave