Analisti, Astrit Gashi, ka thënë se ka indikacione se njerëz të afërt me pushtetin janë duke blerë tokën, ku pritet t’ia bie rruga Prizren – Tetovë.
Gashi ka thënë se Prokuroria duhet të nis hetimet pasi traseja është bërë e ditur tashmë dhe se tokat në atë pjesë janë shtrenjtuar, transmeton lajmi.net.
“…E kanë nisë një projekt të rrugës për Tetovë, fatkeqësisht aty duhet me shku Prokuroria sepse në një farë forme traseja është bërë e ditur. Janë duke shkuar çmimet atje të tokave në shpronësim, që thoshin në farë vakti për qeveritë te kaluara, keni me u habit sa shtrenjtë janë tash. Atje Prokuroria duhet të hetojë sepse ka indikacione se janë duke blerë tokë persona të afërt me pushtetin. Dhe njerëzit që po dojnë me shku atje me ble për arsye të biznesit s’po ka shanca me shku atje. Pra ka indikacione që manipulime për të cilat VV-ja i akuzuar ashpër e nganjëherë shumë drejtë qeveritë e kaluara… Duhet me këqyr Prokuroria në detaje”, ka thënë Gashi në RTV Dukagjini.
Ndërsa, më 22 nëntor të këtij viti Qeveria ka marrë vendim preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizimi i Projektit: Ndërtimi i Rrugës Prizren – Kufiri me Maqedoninë e Veriut (Tetovë) segmenti Struzhë – Kyçja me Autoudhën “Ibrahim Rugova” në Prizren – Jug.