Rruga Thumanë–Kashar nga sot me pagesë, ja se sa do të jetë tarifa

Rruga Thumanë–Kashar nga sot me pagesë, ja se sa do të jetë tarifa

Të shtunën, kompania koncesionare që menaxhon autostradën Thumanë–Kashar nisi të aplikojë një tarifë për përdorimin e segmentit rrugor.

Aksi i hapur për qarkullim më fundqershorin e kaluar shtrihet në një gjatësi prej 21 kilometrash. Shpejtësia e projektuar për këtë kategori rruge do të jetë nga 90 në 140 km/orë.

Sipas ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, segmentin e përshkuan rreth 2,5 milionë mjete përgjatë periudhës 28 qershor–30 shtator 2024.

Në varësi të llojit të mjetit, tarifa që do të aplikohet për kalimin e këtij segmenti do të jetë 2,1 euro pa TVSH dhe 2,52 euro me TVSH. Deri më tani qarkullimi për mjetet ka qenë pa pagesë, pasi kompania kreu testimet e nevojshme.

“Ky aks ofron një udhëtim më të sigurt dhe më të shpejtë, duke u shndërruar në një nga arteriet më të rëndësishme të infrastrukturës rrugore të Shqipërisë,” thuhet në njoftimin e koncesioniarit.

Tarifa e kalimit të autostradës së re do të rishikohet çdo vit në varësi të luhatjeve të kursit të këmbimit lekë-euro.

Autostrada është deklaruar se ka një kosto ndërtimi prej afro 270 milionë euro dhe në kontratë parashikohet që të ardhurat e përgjithshme gjatë 35 viteve të arrijnë rreth 1,3 miliard lekë pa TVSH.

Kjo vepër infrastrukturore përbëhet nga dy karrexhata të pavarura, të ndara nga një barrierë sigurie e pakalueshme, secila me korsi, bankinë të shtruar në të majtë dhe korsi emergjence në të djathtë, pa kryqëzime në nivel, me kontroll strikt të aksesit.

Related Articles