Radiotelevizioni i Kosovës ka njoftuar se deri më 31 korrik s’ka pranuar mjetet buxhetore të parapara për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025, e kjo ata thonë po rrezikon ekzekutimin e pagave për stafin si dhe përmbushjen e obligimeve tjera.
Sipas menaxhmentit të RTK-së, kërkesat zyrtare janë dërguar me kohë tek institucionet përkatëse, por deri tani nuk është marrë asnjë përgjigje. Menaxhmenti thotë se ka bërë përpjekje për të ruajtur stabilitetin përmes menaxhimit racional të resurseve, por kriza aktuale nuk mund të tejkalohet pa mbështetje të menjëhershme financiare.
RTK apelon për reagim të menjëhershëm nga Qeveria, duke e konsideruar këtë situatë si kërcënim për funksionimin institucional dhe besimin qytetar në shërbimin publik, veçanërisht në kushtet e mungesës së konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Komunikata:
Menaxhmenti i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) njofton se, deri më sot, dita e fundit e muajit korrik, nuk ka pranuar ende mjetet buxhetore të parapara për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025. Si pasojë, po rrezikohet ekzekutimi i pagave për stafin, si dhe përmbushja e obligimeve të tjera operacionale.
RTK ka njoftuar me kohë për situatën dhe ka dërguar kërkesa zyrtare tek mekanizmat institucional të Republikës së Kosovës, mirëpo deri në këtë moment nuk ka pranuar përgjigje zyrtare dhe as ndonjë informacion për rrjedhën e mëtejme.
Menaxhmenti ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të ruajtur stabilitetin e institucionit, përmes optimizimit të brendshëm dhe menaxhimit racional të resurseve, por kriza aktuale nuk mund të tejkalohet pa mbështetje të menjëhershme.
RTK është një shtyllë thelbësore e informimit publik dhe një nga institucionet me mision kushtetues në shoqërinë demokratike të Kosovës. Çdo vonesë e mëtejshme rrezikon drejtpërdrejt jo vetëm funksionimin institucional, por edhe besimin qytetar në shërbimin publik.
Në mungesë të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, RTK apelon për reagim imediat nga Qeveria, si dhe kërkon që kjo çështje të trajtohet me prioritet të lartë institucional.