Bordi i Radio Televizionit të Kosovës ka bërë të ditur se do t’iu ofrojë punë katër gazetarëve nga Ukraina.
Këtë njoftim e bëri vetë RTK-ja, ku tha se prioritet do të kenë gazetaret gra të cilat do të zgjidhen nga Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Media (ECPMF) dhe Federata Evropiane e Gazetarëve.
Bordi dhe Menaxhmenti i RTK-së tha se në mbledhjen e mbajtur sot, ata do t’i ofrojnë hapësirat e transmetuesit publik ku përfshijnë zyra, tavolina, qasje në internet dhe të gjitha pajisjet përkatëse të punës për katër gazetarë nga Ukraina.
“Radio Televizioni i Kosovës planifikon t’u ofrojë akomodim në hapësira të punës deri në gjashtë muaj katër gazetarëve ukrainas, të cilët u detyruan të largohen nga vendi i tyre pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se sot në Kosovë ka mbërritur gazetarja e parë ukrainase, e cila u prit nga kryeministri i vendit, Albin Kurti, zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla./Gazeta Enigma/