Ish-diplomat amerikan, James Rubin, ka thënë se nuk mendon që presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e ka Kosovën në listën e çështjeve më me prioritet.
Sipas Rubinit, çështjet më me prioritet të Trumpit aktualisht janë Kina, Rusia, Ukraina, Irani, Venezuela, çështjet doganore me të gjitha vendet e botës.
“Pra, nuk mendoj që është në pikat e para në mendjen e tij. Nuk mendoj që Trumpi ka gjasa që të angazhohet. Është më shumë çështje që do të merret Departamenti i Shtetit, pra nuk do të brengosesha për këtë”, tha Rubin në Klan Kosova.
Tutje, ai e dha edhe një këshillë për kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, që t’i përgjigjet nevojave të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në lidhje me çështjet e dialogut.
“Ka dallim të mirë në mes Kosovës, Kroacisë, Bosnjës, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Serbia është i vetmi vend që televizioni rus, propaganda ruse dhe mbështetja ruse ekzistojnë. Dhe kur Departamenti i Shtetit dhe Shtëpia e Bardhë e kuptojnë sa larg dhe se problemi real qëndron në Beograd, ka gjasa më të vogla që të bëjnë më shumë vështirësi për Kosovën”.
“Pra, këtë do të duhej ta bënte, pra, të sigurohej që përgjigjet e tij e vendosin barrën në Beograd për të bërë kompromis, sepse janë ata që punojnë ngushtë me Rusinë dhe mund të ju siguroj se Sekretari Rubio nuk e pëlqen këtë”, tha Rubin.
Në fund të intervistës, Rubin tha se dëshmia e tij pro ish-presidentit të vendit, Hashim Thaçi në Hagë ishte privilegji i jetës së tij.
“Para disa ditësh e kam bërë më të mirën për të ndihmuar popullin e Kosovës në këtë gjykim dhe ia dëshiroj më të mirën dhe jam plot vetëbesim se ata do të marrin vendime pa u përzier unë apo pa u angazhuar në sulme të hollësishme ndaj cilitdo person të caktuar tani”.
“Ka qenë privilegj i jetës sime që të jem aty, atëherë kur mund t’i ofronim ndihmë popullit të Kosovës dhe ende krenohemi me këtë”, tha ai