Rubin: Thaçi donte të sigurohej se Amerika do qëndronte në krah të Kosovës

Rubin: Thaçi donte të sigurohej se Amerika do qëndronte në krah të Kosovës

Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, po e jep dëshminë e tij në Hagë, i ftuar nga mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Në dëshminë e tij para avokatit Luka Mishetiq, ai tha se marrëdhëniet e Thaçit me Shtetet e Bashkuara ishin të veçanta dhe të një rëndësie të jashtëzakonshme për të.

Rubin theksoi se që nga takimi i parë, kishte krijuar përshtypjen se Thaçi e shihte Amerikën si simbol të fuqisë dhe si pasqyrim të asaj që ai e konsideronte si shtet i fortë dhe i besueshëm.

“Sipas meje, prioriteti i tij më i madh ishte të kishte mbështetjen e udhëheqjes amerikane”, tha Rubin gjatë dëshmisë së tij.

Ai nënvizoi se, në asnjë moment, nuk kishte vërejtur te Thaçi ndonjë sjellje apo qasje që do të rrezikonte këtë mbështetje.

“Jo, Thaçi gjithmonë dëshironte të sigurohej që Amerika do të qëndronte në krah të tij dhe të Kosovës”, deklaroi ndër të tjera James Rubin

Related Articles