Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, konfirmoi të hënën se 83 për qind e kontratave të USAID-it, agjencisë amerikane të ndihmës së huaj, janë anuluar zyrtarisht.
“Pas një rishikimi gjashtë-javor, 83 për qind e programeve të USAID-it janë anuluar. Këto 5,200 kontrata që tani janë anuluar shpenzuan miliarda dollarë në mënyra që ishin në kundërshtim me interesat kombëtare të Shteteve të Bashkuara”, tha Rubio.
Ai shtoi se pjesa e mbetur prej 17 për qind, në konsultim me Kongresin Amerikan, u transferua nën mbikëqyrjen e Departamentit të Shtetit, të cilin ai e drejton.
“Faleminderit Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë dhe ekipit të tyre për punën e tyre të përkushtuar. Ata punuan jashtë orarit për të përfunduar këtë reformë kaq të nevojshme dhe historike”, tha ai.
Kujtojmë se më 20 janar, me marrjen e detyrës si president i SHBA-së, Donald Trump ngriu ndihmën e huaj të ofruar nga USAID-i.
Gjashtë javë pas kësaj lëvizjeje, më shumë se katër të pestat e këtyre programeve janë anuluar zyrtarisht dhe pjesa tjetër do të bëhet pjesë e Departamentit të Shtetit.