Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cilësoi si kërcënim për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e Bosnjës e Hercegovinës ligjet e miratuara nga autoritetet e entitetit serb, të cilët ndalojnë gjyqësorin dhe policinë shtetërore të Bosnjës të veprojnë në territorin e Republikës Serbe.
“Veprimet e Presidentit të Republikës Serbe, Milorad Dodik, po dëmtojnë institucionet e Bosnjës e Hercegovinës dhe po kërcënojnë sigurinë dhe qëndrueshmërinë e saj”, shkroi sekretari Rubio në platformën X. “Vendi ynë inkurajon udhëheqësit politikë në Bosnjë dhe Hercegovinë që të angazhohen në dialog konstruktiv dhe të përgjegjshëm. Ne u bëjmë thirrje partnerëve tanë në rajon që të bashkohen me ne për të kundërshtuar këtë sjellje të rrezikshme dhe destabilizuese”, shkroi ai.
Ligjet kanë nxitur tensione në vendin ballkanik të ndarë etnikisht dhe zyrtarët boshnjakë u ankuan në Gjykatën Kushtetuese, e cila i pezulloi përkohësisht ligjet të premten, duke theksuar se zbatimi i tyre do të kishte “pasoja serioze dhe të pashmangshme”, duke rrezikuar rendin kushtetues, ligjor si dhe sovranitetin e Bosnjës.
Serbët e Bosnjës miratuan legjislacionin pasi një gjykatë boshnjake dënoi Milorad Dodikun, presidentin pro-rus të Republikës Serbe muajin e kaluar me një vit burg dhe gjashtë vjet ndalim të përfshirjes në postet publike, për shkak të veprimeve ndarëse të tij.
Milorad Dodiku tha se ka në plan të shpërfillë vendimin, i cili bëhet i formës së prerë pas një procesi të apelimit.
Zyrtarët e Bosnjës thonë se grupi i ligjeve të miratuara nga Republika Serbe, përfaqëson një grusht shteti dhe një hap të madh në shpërbërjen e vendit.
Bosnja përbëhet nga dy entitete, njëri e dominuar nga serbët e Bosnjës dhe tjetri i drejtuar nga boshnjakët myslimanë dhe kroatë.
Marrëveshja e paqes e Dejtonit që i dha fund luftës së Bosnjës, e cila la pas vetes më shumë se 100,000 të vrarë dhe miliona të zhvendosur, parashikoi gjithashtu që entitetet të jenë të lidhura nga institucionet e përbashkëta shtetërore, duke përfshirë ushtrinë, gjyqësorin e lartë dhe administratën tatimore.
Milorad Dodiku vazhdimisht ka bërë thirrje për ndarjen e gjysmës së Bosnjës të drejtuar nga serbët për t’u bashkuar me Serbinë fqinje dhe për këtë arsye ish-administrata amerikan vendosi sanksione kundër tij dhe aleatëve të tij të ngushtë.