Kryetari i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi, ka thënë se muajve të fundit është vërejtur një përmirësim në zbatimin e marrëveshjeve mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Ai është ankuar se bizneset private nuk janë konsultuar lidhur me marrëveshjet mes dyja vendeve, duke theksuar se Qeveria Kurti ka ftuar individualisht biznese të caktuara për konsulta.
Megjithatë sa i përket marrëveshjeve, Rukiqi ka thënë se kohëve të fundit ka pasur lehtësira në qarkullimin e mallrave.
Sipas tij, edhe marrëveshja për portin apo hekurudhën i jep më shumë kuptim hapësirës ekonomike mes dy vendeve.
“Marrëveshja për Doganat e cila është nënshkruar e lehtëson qarkullimin pasi unifikohen dokumentet doganore. Ndikon në zvogëlimin e pritjeve në dogana. Unë nuk e kam parë marrëveshjen por nga ajo që kemi nga Qeveria Kurti ka të bëjë me unifikim të procedurave doganore. Një transport hekurudhor i ulë kostot e transportit. Çdo hekurudhë, çdo investim në porte e rrit rëndësinë strategjike të vendeve”, ka theksuar ai.
Rukiqi ka thënë se nuk ka pasur problem aq të madh që marrëveshjet mes dy vendeve të mos zbatohen. Sipas tij, problem nga ana e Kosovës ka qenë ndërrimi i shpeshtë i qeverive.
Ai ka thënë se duhet pasur më shumë progres në marrëveshje, si pritjet në kufi.
Sipas tij, në këtë situatë nuk ka pasur marrëveshje që ka pasur impakt në qarkullimin e mallrave.
“Ajo që ne e marrim me shqetësim është që ka shumë ide dhe projekte të sektorit privat, dhe në këto mbledhjet e fundit nuk ka asnjë konsultë me sektorin privat. Qeveria e Kosvoës i ka ftuar individualisht bizneset e që besoj që është gabim. Nuk është mënyra e duhur se si funksionohet. Nuk mund t’i bësh marrëveshjet e zbatueshme nëse nuk e përfshinë përfituesin e drejtpërdrejt të tyre. Bizneset në Shqipëri kanë qenë të ftuar, atje kanë qenë përfaqësues dhe jo biznese private”, ka thënë ai.
Sipas tij, nga marrëveshjet më shumë përfitojnë kompanitë e Shqipërisë.
Ai ka thënë se tregu i Shqipërisë nuk është lehtë i qasshëm.
Rukiqi ka thënë se Qeveria dhe institucionet që i përfaqësojnë bizneset, është më rëndësi që ta përfshijnë sa më shumë interesin e biznesit në takime të ndryshme.
Për “Ballkanin e Hapur” ai ka thënë se ekonomikisht nuk do të krijonte asnjë problem hyrja në këtë nismë.
“Ajo që ne duhet të synojmë është që në çdo nismë, të dëgjojmë, të shohim se a na konvenon”, tha ai.
Ndërkaq për rritjen e çmimeve të naftës, ai ka thënë se për shumë kompani është rritur kostoja e transportit.
Sipas tij, kjo ndikon edhe në pagat e punëtorëve, duke shtuar se këtu mund të intervenojë Qeveria e të ndihmojë.
Ai ka thënë se Kosova është vend i vogël dhe nuk mund të ketë krizë ushqimore. Sipas tij, një krizë e tillë mund t’i prekë vendet tjera më të mëdha.
Sipas tij, shqetësuese është rritja e çmimit të energjisë, duke shtuar se nuk do të ketë dimër më të lehtë se ai i kaluari.
“Unë ftoj Qeverinë që t’i nisin përgatitjet pasi në çdo parashikim thotë se do të ketë rritje të energjisë elektrike”, ka thënë ai.
Rukiqi për projektligjin për pagën minimale ka thënë se si punëdhënës kanë konsideruar se është pagë e pranueshme për tregun e punës.
Ai ka thënë se ka keqkuptim sa i përket pagës minimale, pasi ajo nuk konsiderohet të jetë për një familje të tërë pasi mund të jenë disa persona të punësuar brenda një familje.