Berat Rukiqi, anëtar i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), kritikoi qeverinë e Albin Kurtit duke iu referuar raportit të fundit të Bankës Botërore.
Në një postim në Facebook, ai theksoi se ky raport pasqyron gjendjen alarmante të tregut të punës dhe rritjes ekonomike në vend, shkruan Gazeta Enigma.
Sipas Rukiqit, vetëm 37.1% e popullsisë në moshë pune është e punësuar, norma më e ulët në Evropë. Ai e krahasoi këtë shifër me mesataren rajonale prej 48.5% dhe mesataren e BE-së prej 54.5%, duke e cilësuar si një dështim serioz të qeverisë.
“Rritja ekonomike për vitin 2023 është 3.3%, ndërsa për 2024 pritet 3.8%, nën mesataren prej 4% të arritur para pandemisë,” tha Rukiqi, duke theksuar se kjo normë nuk garanton as zhvillim, as vende pune e as investime.
Ai gjithashtu ngriti shqetësimin për deficitin tregtar prej 5.2 miliardë euro, duke e quajtur atë një tregues të qartë të mungesës së investimeve në prodhim dhe eksporte.
Rukiqi përmendi edhe nivelin e ulët të përfshirjes në tregun e punës, ku vetëm 42.7% e popullsisë aktive është pjesë e tij, shifër më e ulët se mesatarja rajonale prej 54.4%. Ai lidh këtë situatë me emigrimin në rritje pas liberalizimit të vizave, me rreth 23,700 persona që kanë lënë vendin.
Në përmbyllje, Rukiqi vlerësoi se LDK, nën udhëheqjen e Lumir Abdixhikut, ka një plan të qartë për zhvillim ekonomik dhe krijim të vendeve të punës.
“Rruga e Re është e vetmja rrugë drejt zhvillimit ekonomik dhe ndryshimit që i duhet Kosovës,” përfundoi ai./GazetaEnigma/